Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor janë pritur nga mbreti i Britanisë së Madhe, Charles III. Pritja është bërë në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, që këtë vit është mbajtur në Londër. Britanisë, Kurti është zotuar se do t’i dalë në ndihmë me azilkërkuesit e refuzuar
Kosova është shprehur e gatshme që ta ndihmojë Britaninë e Madhe në luftën e saj kundër migracionit të paligjshëm.
Të martën mbrëma, gazeta “The Times” shkruante se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar diskutime me Anglinë për ndërtimin e qendrave për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar nga ajo. Sipas raportimit të kësaj gazete, Kurti në këmbim ka kërkuar mbështetje për forcimin e sigurisë ndaj kërcënimeve nga Serbia dhe Rusia.
“Ne duam ta ndihmojmë Britaninë. E shohim këtë si detyrim miqësor dhe politik. Edhe pse kemi kapacitete të kufizuara, jemi të gatshëm të kontribuojmë”, ka cituar Kurtin “The Times”.
E kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka thënë se i ka bashkuar shtetet për ta përballur migracionin e paligjshëm. Ka thënë se emigrantët e paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar kalojnë nëpër shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Ekziston një autostradë kriminale që kalon nëpër Ballkanin Perëndimor, duke i çuar emigrantët e paligjshëm direkt në Mbretërinë e Bashkuar. Detyra jonë është ta mbyllim atë dhe të shkatërrojmë bandat e organizuara të kontrabandës që e drejtojnë atë. Sot po i bashkoj vendet për të përballuar këtë sfidë të përbashkët”, ka shkruar Starmer në X.
Për migracionin e ndihmën që mund të ofrojë Kosova, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka diskutuar edhe me sekretaren e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, të mërkurën.
“Kryeministri tha se Kosova nuk është burim i migrimit, porse ka vullnet të ndihmojë një shtet mik dhe partner si Britania e Madhe, të menaxhojë rrjedhën e migracionit. Së bashku po punojmë në forcimin e sigurisë kufitare, si dhe luftimin e krimit të organizuar”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Zyra e Kryeministrit, pas takimit që Kurti ka zhvilluar me Cooper.
Aty thuhet se kryeministri në detyrë ia ka theksuar sekretares britanike rëndësinë e partneritetit për integrimin e Kosovës në NATO e sigurimin e njohjeve të reja. “Prioritet i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.
Gatishmërinë për të diskutuar me Britaninë e Madhe për këtë çështje, presidentja Vjosa Osmani e ka shprehur edhe në pjesën e parë të këtij viti gjatë pjesëmarrjes në Samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian, i mbajtur në Tiranë.
Për dallim prej Kosovës, bashkëpunimin me Anglinë në këtë fushë e kanë refuzuar Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.
Në maj të këtij viti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Keir Starmer, në Tiranë ka thënë se marrëveshjen që e ka bërë me Italinë për azilkërkuesit e ka bërë për shkak të marrëdhënies së veçantë mes dy vendeve e falë situatës gjeografike.
“Për të qenë i sinqertë me ju, na kanë kërkuar një sërë vendesh nëse ishim të hapur për një gjë të tillë dhe ju kemi thënë jo, sepse jemi besnikë martesës me Italinë dhe pjesa tjetër është thjesht dashuri”, pati deklaruar Rama.
Ndërkohë, në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, që është mbajtur, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor janë pritur nga Mbreti Charles III, të martën mbrëma.
“Në këtë pritje të veçantë, përveç kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, morën pjesë edhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjatë kësaj mbrëmjeje solemne, kryeministri Kurti pati mundësinë të bisedojë me Madhërinë e Tij, Mbretin Charles III, kryeministrin e Mbretërisë se Bashkuar, Keir Starmer, si dhe me liderë të tjerë të pranishëm, duke theksuar marrëdhëniet e ngushta dhe miqësinë e veçantë që lidh Republikën e Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar, një marrëdhënie e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe barazisë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Gjatë qëndrimit në Londër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është takuar edhe me kancelarin e Austrisë, Christian Stocker.