LAJMET E MBRËMJES

Kosova e gatshme të bashkëpunojë me Kroacinë për spiunazhin nga Serbia

Presidenca e Kroacisë u ka shprehur përkrahje institucioneve kroate, pas vendimit të gjykatës për paraburgim të dy personave që dyshohet se spiunuan forcat e NATO-s në Kosovë. Për dy të dyshuarit për spiunazh që po procedohen në Kroaci, Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim në zbardhjen e rastit.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur përkrahje për hetuesinë pas vendimit për paraburgim ndaj dy të pandehurve që dyshohet se e spiunuan KFOR-in kroat në Kosovë.

Në një komunikatë të lëshuar nga presidenca, është shprehur përkrahje për institucionet duke thënë se veprimet e tyre e kanë vërtetuar kryerjen e mundshme të veprave penale në dëm të Kroacisë.

Veprimet që i ndërmori oficeri i flotës ajrore të Kroacisë dhe e dashura e tij serbe e Kosovës, dyshohet se shkonin në dëm të interesave të Kroacisë.

“Lidhur me fillimin e një hetimi kundër oficerit të Forcave të Armatosura Kroate J.I. (54), nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të spiunazhit sipas nenit 348, paragrafi 1 i Kodit Penal, Presidenti i Republikës Zoran Milanoviq shpreh mbështetje për të gjitha institucionet e Republikës së Kroacisë, kryesisht VSOA (Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake), të cilat kanë vërtetuar kryerjen e mundshme të veprave penale në dëm të Republikës së Kroacisë dhe kanë marrë masat e duhura brenda juridiksionit të tyre me qëllim zbulimin e autorëve të mundshëm dhe parandalimin e veprave të mëtejshme penale”, u tha nga Presidenca e Kroacisë. 

Presidenca kroate ka kërkuar një hetim efikas, tek ka theksuar se “çdo anëtar i Forcave të Armatosura Kroate duhet ta kryejë detyrën e tij ushtarake me ndershmëri, drejtësi dhe ligjshmëri”, përndryshe do të përballet me ligjin.

Mediat kroate kanë shkruar se ata dyshohen se spiunuan në favor të Serbisë, duke i shpalosur lëvizjet e forcave të NATO-s në Kosovë, duke e përfshirë edhe periudhën e dhjetorit të 2022-tës kur serbët i bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Reagime ka pasur edhe në Kosovë, ku Qeveria ka thënë se e A.M, e dashura e pilotit kroat, nuk ka marrë informata të klasifikuara për Qeverinë e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka shkruar në “Facebook” se institucionet e Kosovës janë të gatshme për bashkëpunim për zbardhjen e plotë të rastit të spiunazhit, që dyshohet të jetë zhvilluar në territorin e Kosovës. 

“Andaj, ne hedhim poshtë çdo pretendim se personi në fjalë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit...Institucionet tona të sigurisë dhe inteligjencës po punojnë në vazhdimësi e me vigjilencë të lartë, dhe suksesshëm po u kundërvihen përpjekjeve dashakeqe dhe destabilizuese të Serbisë në Kosovë. Duke qenë se veprimtaria e A.M. dhe shtetasit kroat, të dy të arrestuar në Kroaci, është zhvilluar në Kosovë, institucionet tona janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit.

Sipas raportimeve të mediave kroate, piloti kroat J.I së bashku me të dashurën A.M. që punon në Kosovë, kishin rrjedhur informacione sekrete për shumë vite. Reagime ka pasur në Kroaci, ku partitë opozitare kanë hedhur dyshime në drejtim të menaxhimit të institucioneve të sigurisë nga ana e Qeverisë”, tha Kryeziu.

Sipas mediumit kroat “Index.hr”, piloti dhe e dashura e tij po dyshohen se ndanë informata me Serbinë lidhur me transportin e serbit të arrestuar Dejan Pantiq, i dënuar në shkallë të parë për sulmin terrorist të 2022-tës në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor të Mitrovicës së Veriut.

Po ashtu, mediat kroate raportuan se A.M. i shkroi Vladimir Radivojeviq, i shpallur në kërkim nga institucionet e Kosovës për sulmin terrorist në Banjskë.