Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kosova drejt humbjes së 60 milionëve të Planit të Rritjes

plani i rritjes

Kosova rrezikon të humbë 60 milionë në qershor, e deri në 250 milionë euro deri në fund të vitit, mjete nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. Pasoja rrjedh për shkak të vonesave në zbatimin e reformave dhe mosfunksionalizimit të institucioneve. Në takimin e Komitetit Monitorues Bashkim Evropian-Kosovë për Instrumentin për Reforma dhe Rritje u përmendën afatet e 30 qershorit, 15 korrikut dhe fundi i vitit si data kyçe për përmbushjen e obligimeve, nga të cilat varen qindra miliona euro për Kosovën

Me paralajmërimet për humbje të qindra miliona eurove nga plani i rritjes është mbajtur takimi i Komitetit Monitorues Bashkim Evropian-Kosovë për Instrumentin për Reforma dhe Rritje. 

Jeton Zulfaj, koordinator kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritjes Ekonomike (IRRrE), deklaroi se rrezikohet humbja e 60 milionë eurove deri në fund të muajit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Fatkeqësisht bllokada në Kuvend vazhdoi këtë vit duke vonuar tutje reformat e nevojshme që kryesisht janë ligje që duhet kaluar në kuvend, si pasojë e kësaj bllokade, në fund të këtij muaji, pra në qershor, tashmë mund të rrezikohen 9 hapa në shumë prej afro 60 milionë eurove nga Plani i Rritjes”, ka thënë Zulfaj.

Deri më datën 30 qershor, kur edhe është afati për t’i përmbushur këto hapa, ndër to edhe Ligji për Energjinë, Kosova nuk mund të ketë kuvend e qeveri funksionale.

Me planin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, afati për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit është 6 korriku, nëse nuk ka ankesa.

Por, 90 milionë euro të tjera rrezikohen nëse nuk ndërmerren hapa deri në mes të korrikut, sipas Jiri Plecity, udhëheqës i Njësisë në drejtorin e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian.

“Më lejoni t’ju kujtoj se afati i ardhshëm i raportimit është më 15 korrik të këtij viti dhe kjo do të jetë mundësia e parë që Kosova të kërkojë pagesa nga ky instrument. Ky është gjithashtu një afat kritik, sepse shënon fundin e periudhës grejs për 13 hapat që fillimisht duhej të kryheshin në qershor 2025. Këta hapa, në përgjithësi, korrespondojnë me një vlerë totale prej 91 milionë eurosh. Pra, kjo do të thotë se deri në këtë shumë është në rrezik nëse këta hapa nuk zbatohen në kohë”, ka thënë Plecity.

Ai ka theksuar se deri në fund vit rrjedh edhe grejs periudha tjetër për 27 hapa të tjerë të reformës, e mos zbatimi i tyre mund t’ia humbë Kosovës mbi 100 milionë euro. 

“Dhe do të doja të theksoja gjithashtu se ndoshta edhe më e rëndësishmja është se fundi i këtij viti shënon fundin e periudhës grejs për 27 hapa të tjerë reformues me një vlerë totale prej 166 milionë eurosh. Ka ende kohë deri në fund të këtij viti, kështu që do t’ju inkurajoja juve dhe kolegëve tuaj ta mbani mend këtë dhe të dyfishoni përpjekjet edhe për këto 27 hapa reformues”, ka thënë Plecity.

E Zulfaj theksoi se në kuadër të implementimit të planit të rritjes, çdo tre muaj do të zhvillohen takime mes kryeministrit dhe ministrave për të parë zbatimin e reformave.

Ai gjithashtu bëri të ditur se të gjithë ministrat përgjegjës për zbatimin e planit të rritjes kanë caktuar nga një këshilltar përgjegjës për agjendën e reformave.

Paraprakisht, ai tha se Kosova ishte ndër vendet e para të rajonit që përmbylli me sukses negociatat me Bashkimin Evropian për agjendën reformuese, por se procesi i ratifikimit të marrëveshjeve u vonua për shkak të bllokadave në Kuvend.

“Qeveria ka miratuar agjendën e reformave, pa vonesa më 9 tetor 2024. Pastaj bllokadat që shkojnë në Kuvend e vonuan ratifikimin duke vonuar kështu edhe zbatimin e reformave, duke vonuar edhe këtë takim i cili sigurisht që do të duhej të mbahej më herët”, ka thënë ai.

Zulfaj ka rikujtuar se Kuvendi ka ratifikuar marrëveshjet për instrumentin dhe huanë më 13 shkurt të këtij viti, ndërsa fondet e para të parafinancimit u pranuan në muajin prill.

“Me 13 shkurt të këtij viti Kuvendi ka ratifikuar dy marrëveshjet e këtij instrumenti, marrëveshjen për instrumentin dhe marrëveshjen për huanë. Menjëherë pas kësaj me 19 mars të këtij viti Qeveria miratoi vendimin për sistemin e zbatimit të këtij instrumenti. Më pas me 16 prill kemi filluar të pranojmë fondet e para të parafinancimit nga Plani i Rritjes në shumën prej 61.8 milionë euro”, ka shtuar ai.

Sipas Zulfajt, bllokada aktuale në Kuvend pengon miratimin e reformave që lidhen kryesisht me legjislacionin dhe mund të ketë pasoja financiare për vendin.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një iniciativë e Komisionit Evropian që synon ta afrojë rajonin me Bashkimin Evropian para anëtarësimit të plotë, duke nxitur rritjen ekonomike dhe reformat.

Plani u prezantua në vitin 2023 dhe mbështetet nga një fond prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027. Nga to, parashihej që Kosova t’i përfitojë 900 milionë euro.

Komisioni Evropian disa herë që nga fundi i vitit 2024 ka tërhequr vërejtjen se problemet e brendshme politike në vendet e rajonit mund të kenë pasoja edhe në përdorimin e mjeteve nga Plani i Rritjes.