Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të enjten me pesë vjet burgim për spiunazh të akuzuarin Aleksandar Vlajiq. Ish-polici i Kosovës ka pranuar se i ka çuar informata BIA-s së Serbisë dhe ka pranuar fajësinë në një marrëveshje me prokurorinë. Ndaj Vlajiqit është duke u zhvilluar edhe një tjetër proces gjyqësor, në kuadër të të cilit ai është i akuzuar për sulmin terrorist në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut
Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten e ka shqiptuar dënimin e parë për spiunazh qëkur Kosova ka shpallur Pavarësinë.
Gjyqtari Ngadhnjim Arrni ka konstatuar se marrëveshja e lidhur mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit Aleksandar Vlajiq është e ligjshme dhe e ka shpallur fajtor të pandehurin, duke e dënuar me pesë vjet burgim për spiunazh dhe me 1.000 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTeksa i ka lexuar akuzat, të cilat i ka pranuar Vlajiqi në kuadër të marrëveshjes me Prokurorinë, prokurori special, Bekim Kodraliu, ka thënë se i pandehuri, njëherësh ish-polic i Kosovës, ia ka zbuluar identitetin një të punësuari të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe ka dërguar informata te shërbimet e Serbisë e që paraqesin rrezik për sigurinë shtetërore.
“Me dashje dhe në mënyrë të qëllimshme ka mbledhur dhe ka incizuar e transmetuar të dhëna (dokumente dhe materiale) që e cenojnë rendin juridik, kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, të cilat pastaj ia ka transmetuar nëpërmjet komunikimeve elektronike dhe takimeve fizike zyrtarit të lartë të BIA-s, Ratko Gajtanoviq – përgjegjës i qendrës së BIA-s për regjionin e Novi-Pazarit në atë mënyrë që fillimisht ka filmuar dhe incizuar fshehurazi lëvizjet dhe automjetet e Policisë së Kosovës dhe të prezencës ndërkombëtare në pjesën veriore të vendit”, ka thënë Kodraliu.
Marrëveshja për pranimin e fajësisë ka paraparë dënim të rekomanduar nga katër vjet e gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.
Lubomir Pantoviq, avokat i Vlajiqit, ka thënë se klienti i tij e ka pranuar marrëveshjen pa presion.
“Ai e ka pranuar fajësinë me vullnet të lirë dhe me konsultime e biseda të mjaftueshme me mbrojtësin dhe askush nuk ia ka imponuar e pa çfarëdo lloj presioni për ta pranuar fajësinë, gjë që e konfirmoi pak më herët”, është shprehur Pantoviq.
Pas shpalljes së aktgjykimit prokurori Kodraliu është shprehur falënderues për punën e Policisë dhe të AKI-së në këtë rast. Ai është zotuar se Specialja do t’i trajtojë me seriozitet rastet e spiunazhit.
“Vepra penale e spinuazhit, siç e dini, e cenon rendin juridik kushtetues dhe në rastin konkret janë rrezikuar edhe qytetarët e Republikës së Kosovës dhe zyrtarët shtetërorë. E nga këtu e potencojmë faktin se Prokurori i Shtetit, respektivisht Prokuroria Speciale është e përkushtuar që t’i trajtojë me ndjeshmëri të lartë dhe profesionalizëm të gjitha rastet e tilla”, ka thënë ai.
Lidhur me rastin për spiunazh, Vlajiqi mund të ankohet vetëm në Gjykatën e Apelit për shkallën e dënimit.
Pjesëtari i BIA-s së Serbisë është duke u gjykuar në një proces tjetër edhe për sulmin e vitit 2022 në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicë të Veriut.
Sipas aktakuzës, e cila është ngritur më 22 maj, Vllajiqi ka vepruar si bashkëpunëtor i BIA-s, duke mbledhur informacione që i kërcënojnë rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës. Në aktakuzë përmendet gjithashtu se ai ka regjistruar fshehurazi lëvizjet e automjeteve të Policisë së Kosovës dhe praninë e bashkësisë ndërkombëtare në veri dhe ka mbledhur të dhëna për anëtarët e komunitetit serb të dyshuar si bashkëpunëtorë të institucioneve të sigurisë në Kosovë. Vllajiq, i cili është arrestuar më 26 qershor 2024, ka qenë anëtar i Policisë së Kosovës.
Sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitet sekret i mbledhjes, i transmetimit apo i shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër. Sipas Kodit Penal, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse ndonjë i dyshuar shpallet fajtor.