LAJMET E MBRËMJES

Kos kritikon Kosovën për mosnisje të reformave, Kurti BE-në për mostrajtim të aplikimit për anëtarësim

Komisionerja për zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka kërkuar të premten nga Tirana që të mos krijohen hendeqe midis gjashtë vendeve të rajonit në zbatimin e Planit të Rritjes, teksa i ka përmendur Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën si dy vendet e vetme që nuk i kanë filluar reformat që dalin nga ky plan. E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka kritikuar BE-në për mungesë progresi në dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën

Komisionerja për zgjerimin e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka kërkuar nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që të ecin në sinkron për sa i përket realizimit të reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së, pas përfundimit të Samitit në Tiranë të premten.

Ajo e ka vlerësuar të rëndësishme që të mos krijohen hendeqe midis gjashtë vendeve të rajonit, ndërsa ka thënë se muaji qershor i 2026-s është afat i rëndësishëm në zbatimin e Planit të Rritjes, pasi që atëherë skadon periudha njëvjeçare e pritjes për reformat e papërmbushura.

Tek ka folur për rëndësinë e këtij plani, Kos i ka përmendur vendet e vetme të rajonit - Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën – që ende nuk e kanë filluar zbatimin e reformave. Si pasojë e ngërçit në Kuvend pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen me BE-në që është parakusht për të përfituar nga Plani i Rritjes.

“Dy nga gjashtë vendet e rajonit ende nuk kanë filluar të miratojnë reformat apo zbatimin. Dy performuesit më të mirë - Shqipëria dhe Mali i Zi - kanë miratuar rreth 50 për qind të reformave të dakorduara. Këtu shikojmë një lidhje të mirë mes avancimit të procesit të anëtarësimit dhe reformave. Sa u përket fondeve të disbursuara, jemi ende nën dhjetë për qind të shumës totale: 400 milionë euro nga një paketë prej gjashtë miliardë eurosh për rajonin”, ka thënë Kos.

Krahas kësaj, ajo e ka shtruar nevojën për më shumë punë në funksion të eurointegrimit.

“Ne mund të bëjmë më shumë. Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor. Ky është një gabim që kemi bërë në të shkuarën dhe duhet ta korrigjojmë dhe rregullojmë këtë punë. Jam e kënaqur se këto takime që po bëjmë në kuadër të Planit të Rritjes po hapin gjithmonë dyer”, është shprehur ajo.

Kos ka thënë se Plani i Rritjes ka hapur shumë dyer në dy vjet dhe se pritet të hapen edhe mundësi të reja.

“Paketa e zgjerimit e BE-së, e cila ka sjellë një dinamikë të re ne procesin e zgjerimit, tashmë është një çështje me te cilën ne po punojmë. Gjithnjë e më shumë ka të bëjë me sigurinë. Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor. Këto takime për Planin e Rritjes po hapin gjithnjë e më shumë dyer. Shtëpia juaj, Evropa po u pret. Ju jeni pjesë e Evropës, ne thjesht duhet ta bëjmë edhe në formë institucionale”, është shprehur Kos.

E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka kritikuar Bashkimin Evropian për mungesë progresi në dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën. Ai e ka quajtur paradoks që të flitet për zgjerimin urgjent të BE-së, kurse aplikimi i Kosovës është lënë në sirtarët e bllokut evropian prej tre vjetësh.

“Asnjë vend në rajonin tonë nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e kërkimit të statusit të vendit kandidat sesa Kosova sot. Të flitet për urgjencën e zgjerimit (të BE-së) në njërën anë, ndërkohë që lihet aplikimi i Kosovës të mbledhë pluhur për tre vjet në një raft të BE-së, është, së paku, një paradoks. Unë besoj se është e rëndësishme të flasim hapur, ndërsa jemi mbledhur për të vlerësuar progresin e Planit të Rritjes. Ne ishim të parët që përmbushëm Agjendën e Reformave dhe disi tani jemi prapa në zbatimin e saj. Dhe unë e kam mirëpritur kritikën. Ne duhet të jemi në ballë të këtyre reformave. Por ne jemi prapa jo nga zgjedhja, por nga rrethanat. Vonesat në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të shkurtit të këtij viti shkaktuan pengesa, megjithatë ky ishte një ushtrim i demokracisë, ku deputetët shprehën vullnetin e tyre të lirë, ku procedurat u respektuan dhe mosmarrëveshjet u zgjidhën në gjykatë”, ka deklaruar ai.

Nga Tirana, Kurti ka kërkuar heqjen e plotë të masave ndëshkuese që BE-ja ia ka vendosur Kosovës në vitin 2023, pas tensioneve në veriun e banuar kryesisht me serbë.

“Kjo është hera e fundit që do të adresoj masat ndëshkuese të BE-së. Ato duhet të hiqen plotësisht dhe tërësisht, ashtu siç kërkoi vitin e kaluar ish-përfaqësuesi i lartë dhe ish-zëvendëspresidenti i BE-së, Josep Borrell”, ka thënë ai.

Nikoqiri i Samitit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se takimi ka qenë i frytshëm, teksa ka konfirmuar se Plani i Rritjes është një urë e sigurt drejt tregut të përbashkët evropian.

“Sot mund të them se kemi mbyllur një takim edhe një herë tjetër të frytshëm me hapa konkretë të mëtejshëm që e afrojnë më tej rajonin me Bashkimin Evropian. Duke konfirmuar përsëri se Plani i Rritjes është një urë e shpejtë dhe e sigurt drejt tregut të përbashkët evropian”, ka deklaruar Rama.

Ai ka thënë se Ballkani Perëndimor ka vendosur të ecë përpara së bashku me Planin e Rritjes, si udhërrëfyes të bashkëndarë.

“Një udhërrëfyes jo drejt Brukselit, por drejt lirive dhe mundësive të tregut të përbashkët evropian, të cilit qytetarët tanë i përkasin prej historisë, gjeografisë dhe fatit”, ka theksuar ai teksa ka shtuar se “Ballkani Perëndimor nuk është pika e dobët e Evropës, por mundësia e re”.

Me zbatimin e reformave, Kosova do të përfitojë nga Plani i Rritjes deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253.3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629,3 milionë eurosh janë kredi afatgjate. BE-ja ka lansuar këtë plan, si instrument financiar për t’i ndihmuar vendet drejt anëtarësimit.

Në raportet e Progresit, të përpiluara nga Komisioni Evropian për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, është theksuar se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bërë përparim të madh në rrugën drejt BE-së dhe që mund të jetë i arritshëm synimi për anëtarësim në bllok deri më 2030. Për Serbinë ka pasur kritika, ndërsa Kosovës i janë bërë një varg rekomandimesh, ndonëse ajo as nuk e ka statusin e vendit kandidat.