Kriteret për themelimin e ndërmarrjeve të reja publike lokale duhet të jenë të qarta e rigoroze, ka konstatuar Instituti GAP në një raport të publikuar të enjten. Në të thuhet se në disa raste komunat po i kontraktojnë kompanitë private për të kryer shërbimet, për të cilat janë themeluar ndërmarrjet publike lokale
Suhareka e Graçanica kanë ndërmarrje publike lokale për menaxhim të mbeturinave, megjithatë, për këto shërbime komunat kanë kontraktuar kompani private.
Ky fakt përmendet në raportin e Institutit GAP lidhur me formimin e ndërmarrjeve të reja publike lokale.
Bekim Salihu, hulumtues i lartë në GAP, ka thënë se kontraktimi i kompanive private për shërbimet e njëjta tregon që ndërmarrjet publike kanë mungesë kapacitetesh, e që buron nga themelimi i tyre pa u realizuar analizat e duhura.
“Analiza e Institutit GAP tregon që këto kompani të krijuara në përgjithësi, ka ndonjë përjashtim të vogël, por në përgjithësi po kanë pamjaftueshmëri të kapaciteteve për të ofruar shërbime e për rrjedhojë prapë komunat po detyrohen që të shkojnë tek kompanitë private që t’i mbulojnë një mori aktivitetesh ose të shërbimeve... Në përgjithësi, komunat nuk bëjnë planifikim të duhur gjatë kërkesës për të themeluar ndërmarrje të tilla. Nuk dihet se sa do të jetë buxheti, nuk dihet cilat do të jenë resurset njerëzore, nuk dihet cilat do të jenë kapacitetet tekniko-operative të këtyre ndërmarrjeve dhe, po ashtu, nuk dihet cila do të jetë pronësia e këtyre ndërmarrjeve që do ta kenë përsipër”, ka thënë Salihu.
Por në Asociacionin e Komunave të Kosovës mohojnë se komunat bëjnë keqplanifikime, derisa vlerësimi përfundimtar për hapje të ndërmarrjeve të tilla i takon Qeverisë.
“Në asnjë rast deri më tani niveli qendror nuk ka lejuar që të formohet një ndërmarrje publike lokale pa i plotësuar këto tri kritere kryesore, pra studimi i fizibilitetit që është bërë nga niveli lokal, arsyeshmëria financiare dhe qëndrueshmëria e asaj ndërmarrjeje”, ka deklaruar drejtori i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi.
GAP-i ka rekomanduar që të saktësohen edhe më shumë kushtet e përcaktuara nga Qeveria për themelimin e ndërmarrjeve të reja publike lokale.
Shumica e ndërmarrjeve publike, 55 nga 72, sipas GAP-it, janë lokale. Në gjashtë vjetët e fundit janë themeluar 13 ndërmarrje publike, derisa janë deponuar kërkesa edhe për gjashtë të reja.
GAP-i ka rekomanduar që të saktësohen edhe më tutje kushtet e përcaktuara nga Qeveria për themelimin e ndërmarrjeve të reja publike lokale – duke i shtuar si kritere paraqitjen e analizës së tyre për “mundësitë, aftësitë, sfidat, rreziqet, dobësitë dhe përparësitë” e themelimit të një ndërmarrjeje të re lokale. Rekomandim ka dhënë edhe që ndërmarrjeve publike lokale t’u sigurohen objekte për funksionim.
Shumica e ndërmarrjeve publike, 55 nga 72, sipas raportit të GAP janë ndërmarrje publike lokale. Përgjatë gjashtë vjetëve të fundit, sipas këtij instituti janë themeluar 13 ndërmarrje publike, derisa në Ministrinë e Ekonomisë janë deponuar edhe gjashtë kërkesa për themelimin e ndërmarrjeve të reja.