LAJMET E MBRËMJES

Komisioni vlerësues mjekësor i MF-së ikën nga llogaridhënia para deputetëve

Komisioni vlerësues mjekësor i Ministrisë së Financave ka refuzuar pjesëmarrjen në Komisionin parlamentar për të drejtat e njeriut, për të diskutuar rreth kategorizimit të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Ndaj anëtarëve të komisionit u hodhën një mori kritikash si nga deputetët ashtu edhe nga shoqata “Handikos”

Asnjë anëtar i Komisionit vlerësues mjekësor të Ministrisë së Financave nuk i është përgjigjur ftesës së Komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, për të diskutuar rreth ndryshimit të Rregullores së vitit 2017 për njohjen e statusit dhe të drejtave të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

Përfaqësues të shoqatës “Handikos” dhe një person në karrocë janë paraqitur me kohë në takimin e së martës, por mungoi udhëheqësja e divizionit, Anita Vranjolli e zëvendësuesi i sekretarit të Ministrisë së Financave, Enis Spahiu.

Kryetarja e komisionit parlamentar, Duda Balje, ka thënë se Vranjlloi as nuk e ka paralajmëruar komisionin për mungesën.

“I kemi thirrur edhe sot me qenë prezentë me juve, por zonja Anita ka refuzuar me qenë prezent këtu, as nuk ka deleguar një person tjetër. Kemi ftuar edhe sekretarin e Ministrisë së Financave, por me një arsyetim shumë të qartë, nuk është në Kosovë dhe nuk ka mundur me qenë prezent”, ka thënë Balje.

Skender Kosumi, që i ka këmbët të amputuara, ka treguar para ligjvënësve se komisioni ia ka refuzuar përcjellësin pa iu nënshtruar një kontrolli dhe ekzaminimi të mirëfilltë.

“Edhe letërnjoftimin veç e ka marrë në dorë dhe ma ka kthyer. Nuk kam pa unë komision 30 sekonda askund… tu më pa me sy se nuk jam i aftë. Unë pa përcjellës askund nuk mundem me lëvizë, pa asnjërën këmbë”, ka thënë Kosumi.

E kryetarja e komisionit, Balje, u shpreh se është i papranueshëm refuzimi i përfaqësuesve të komisionit vlerësues duke theksuar se disa herë kanë propozuar ndryshimin e përbërjes së tij.

“Do të thotë pacienti është para mjekëve, për 30 sekonda ata e kanë pa personin në karrocë, pa dy këmbët dhe e kanë refuzuar. Mbi çfarë baze? Në bazë së cilës rregullore? A kanë bazë në ligj? Ose janë duke e shkelur ligjin?”, ka thënë Balje.

Ndërkohë drejtor i “Handikosit”, Afrim Maliqi, ka deklaruar se kjo problematikë është evidente që nga viti 2017, prej kur ka filluar të zbatohen ligji e rregullorja. Ai tha se gjatë vitit kanë dhënë rekomandimet për përditësim të rregullores, porse ende nuk është aprovuar e miratuar.

“Komisionet mjekësore kanë dështuar, ne kemi kërkuar me vite që ky komision me u ndryshu, nuk ka ndodhur asgjë. Asnjëherë nuk është marrë në përgjegjësi. Komisioni ka qenë edhe para jush ku ju deputetë e keni ngritur këtë çështje edhe njëkohësisht edhe sekretari e ka pranuar se ka gabime të shumta, vlerësime jo të drejta. Ndërsa përfaqësuesja e mjekëve ka thënë se ne po punojmë drejt, çka nuk qëndron fare”, ka thënë Maliqi.

Puna e Komisionit Mjekësor për rivlerësim të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë është kritikuar në këtë komision edhe dhjetë muaj më parë. Atëherë ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e ministrisë. Zëvendëssekretari Spahiu pati pranuar se ka cilësi të dobët të vlerësimit nga komisioni i mjekëve e udhëheqësja e Divizionit mjekësor, Anita Vrajolli, pati hedhur fajin te ligji.

KOHA ka raportuar për raste të ndryshme të vlerësimeve jo të drejta nga komisioni mjekësor i Ministrisë së Financave dhe për mohimin e së drejtës për kujdestar personal ndaj personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë, pavarësisht kategorizimit që atyre paraprakisht ua bën komisioni brenda QKUK-së.