Komisioni parlamentar për Ekonomi ka miratuar Projektligjin për Fondin Sovran, me përmbajtjen e të cilit shprehën mospajtim deputetët opozitarë. Disa nga ta ia kontestuan kushtetutshmërinë.
Projektligji për themelimin e Fondit Sovran është miratuar në Komisionin Parlamentar për Ekonomi.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë për investimet në rritjen e vlerës së tyre.
“Një nga reformat më të mëdha për zhvillimin ekonomik. Do jetë shoqëri aksionare në pronësi të plotë të Republikës. Do të menaxhojë me ndërmarrjet publike dhe me pasuritë strategjike të Kosovës. Do të mundësojë prurjen e investimeve të jashtme”, tha Rizvanolli.
Kjo politikë ka marrë edhe kritika në komision.
Disa nga ligjvënësit opozitarë e kontestuan kushtetutshmërinë e Projektligjit.
“Disa miniera janë kategori kushtetuese nuk mundeni as me i barte as me i shit prandaj nuk mund ta bëni kete me ligj”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
“Nëse mendoni që mund të bartni prej AKP-së diçka që veç ia ndërroni emrin është e pakuptimtë. Jeni duke hyrë në një ligj që nuk do te jetë i implementueshëm asnjëherë. Ky ligj do të përfundojë në Kushtetuese”, tha deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
Pavarësisht kundërshtive të opozitës, Projektligji për Fondin Sovran u miratua në Komision me votat e deputetëve të subjekteve politike në pushtet.