LAJMET E MBRËMJES

Kapet arsenal armësh të dedikuara për aneksimin e veriut

Policia ka kryer bastisje në shtatë lokacione të ndryshme në veri, në kuadër të hetimeve, pas sulmit të grupit paraushtarak të serbëve, i kryer në Banjskë. Në një podrum, te “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut, janë gjetur armë, mjete eksploduese dhe pajisjet e tjera. Ministri Xhelal Sveçla ka thënë se kapja e këtij arsenali, ka qartësuar planin e Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës përmes agresionit terrorist

Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh, mjete eksploduese dhe pajisje të tjera ushtarake, gjatë bastisjeve të kryera të shtunën në veriun e banuar kryesisht me serbë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë për KOHËN se bastisjet janë kryer në shtatë lokacione të ndryshme. Ato janë bërë në kuadër të hetimeve, pas sulmit të grupit paraushtarak të serbëve, i kryer në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Elshani ka bërë të ditur se në një bodrum, në vendin e njohur si “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut, janë gjetur armët, mjetet eksploduese dhe pajisjet e tjera. Po kështu, ka treguar se operacioni ka qenë i orientuar edhe në lokacione të tjera.

“Bastisjet janë kryer në katër lokacione në Mitrovicë të Veriut, dy në Zveçan dhe një në Banjskë”, ka thënë Elshani.

Gjatë bastisjeve në Mitrovicën e Veriut, kanë qenë të pranishëm edhe ekipe të KFOR-it dhe EULEX-it.

Policia e Kosovës, që pas sulmit në Banjskë ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ka kryer disa bastisje që lidhen me sulmin terrorist.

Vetëm të shtunën, sipas Policisë, janë sekuestruar: 87 copë eksploziv të tipit TM 100; 3 granatahedhës dore (zola); 1 armë automatike AK-47; 1 minë kundër këmbësorisë e tipit MRUD; 14 karikatorë; Municion të kalibrave të ndryshëm; 63 detonatorë elektrikë; 23 detonatorë mekanikë; 1 orë për aktivizim; 1 granatë dore M79; 3 tuba fitilandezës; Çanta, radiolidhje, antiplumba, pajisje medicionale, gjoksore (jelek për bartje të karikatorëve), maskë kundër gazit, bateri e të tjera.

Në raportin e Policisë nuk është treguar për ndonjë arrestim.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kapja e arsenalit të ri të armëve në veri, ka qartësuar planin e Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës përmes agresionit terrorist.

Ai ka bërë të ditur se armët janë prodhime të njëjta me ato të sekuestruara më herët.

“Vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të vendit tonë. Armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës... Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë për ne dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist”, ka shkruar ministri Sveçla në Facebook. “Ne pandalshëm dhe me energji shtesë do të vazhdojmë deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës”.

Më 24 shtator, si pasojë e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë, dhe në përballjen e armatosur janë vrarë tre sulmues dhe dy të tjerë janë kapur.

Pas aksionit, është kapur arsenal i madh armësh, përfshirë edhe automjete të blinduara. Sipas autoriteteve, pjesë e madhe e arsenalit ishte i Ushtrisë së Serbisë.

Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e ka marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme. Gjykata ia ndaloi daljen nga Serbia dhe e obligoi të paraqitet në stacionin kompetent policor dy herë në muaj.

Sipas Prokurorisë serbe, Radoiçiqi dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnjë dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”. Më pas, sipas kësaj prokurorie, ato armë “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”.

Por, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka theksuar se Radoiçiq ka thënë në Prokurori se armë ka blerë edhe në Serbi dhe në Kroaci. Paraprakisht, Vuçiq e kishte lartësuar aktivitetin e tij në Kosovë dhe i ishte referuar si patriot e mbrojtës i serbëve.

Autoritetet serbe nisën procedurë ndaj Radoiçiqit, tek pas presionit ndërkombëtar. Por, në Kosovë nuk besojnë se Serbia do të zhvillojë proces të drejtë hetimi. Prandaj, prej kohësh është kërkuar që Radoiçiqi dhe pjesëtarët e tjerë të grupit të armatosur, të ekstradohen në Kosovë.