Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është zhvilluar seanca e shqyrtimit fillestar në rastin gjyqësor ndaj ish-policit Milan Mihajloviq. Ai akuzohet se, duke qenë pjesë e grupit kriminal të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq e Milan Radoiçiq, ka kërcënuar me jetë dëshmitarë e zyrtarë, gjatë procesit hetimor për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Mihajloviq i mohoi akuzat
Ish-polici i Kosovës, Milan Mihajoviq, është deklaruar i pafajshëm për katër veprat penale që ndërlidhen me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Në seancën e shqyrtimit fillestar, prokurori special Burim Qerkini tha se Mihajloviq ishte pjesë e grupit kriminal të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq e Milan Radoiçiq dhe se ai ka kërcënuar me jetë një dëshmitar më 2019-tën.
“Me qëllim të nxitjes së dëshmitarit B1 për të refuzuar dhënien e dëshmisë në këtë procedurë penale e që paraprakisht kishte dijeni se i njëjti është dëshmitar anonim, gjatë bisedës lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit i ka thënë ‘mos u bë i marrë, mos më lidh mua me këtë punë’, ndërsa kur i ka thënë se ‘ti e di mirë se kush po i kryen këto vrasje dhe këto krime’, i pandehuri ka kanosur me fjalët ‘mos përmend këto gjëra se për këto të shkon koka’”, tha Qerkini.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoProkurori Qerkini tregoi detaje të aktakuzës edhe për kërcënimin që pretendon se i akuzuari i ka bërë një zyrtari të Inspektoratit Policor më 2021-tën.
“Me të kuptuar se IPK-ja ka filluar hetime ndaj policëve, i pandehuri Milan Mihajloviq përmes telefonit e kërcënon me fjalët e ‘kam siguruar numrin e telefonit tuaj, e di se ku jeton dhe i di të gjitha lëvizjet e tua, kush je ti që më ndjek mua; ke me e pa ti se si përfundon’”, tha prokurori Qerkini.
Mihajloviq akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve, me qëllim që t’i shmangej arrestimit.
“Më datën 19.10.2022, rreth orës 22 e 20 në Mitrovicë, derisa njësitë policore ishin duke kryer arrestimin e të pandehurit, sipas urdhërarrestit të lëshuar nga gjykata, i pandehuri prezantohet se nuk është Milan Mihajloviq, por që është një person tjetër me emrin Zvezdan Adrejiq, ku gjatë kontrolli i është gjetur letërnjoftimi i Republikës së Serbisë, i falsifikuar”, tha Qerkini.
Milan Mihajloviq është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat e Prokurorisë Speciale. E, kryetari i trupit gjykues, Lufi Shala, e ka njoftuar mbrojtësin e të akuzuarit se i ka 30 ditë kohë për paraqitjen e kundërshtimit të aktakuzës dhe provave. Prokuroria pretendon se veprat për të cilat akuzohet Mihajloviq i ka kryer me katër ish-policët Nedeljko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Rade Basara dhe Zharko Jovaniviq, si dhe me Silvana Arsoviq, sekretare e subjektit politik të Ivanoviqit, dhe me të akuzuarin Marko Roshiq. Ndaj tyre është duke u zhvilluar proces i veçantë gjyqësor, nën akuzat për krim të organizuar lidhur me ndihmë në vrasjen e Ivanoviqit dhe prishje të hetimit për vrasjen e tij. Për të akuzuarit në të dyja rastet, Prokuroria pretendon se kishin qëllim edhe shtrirjen e pushtetit të grupit të Radoiçiqit dhe Veselinoviqit në veri.
Politikani serb Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, pranë zyrës së iniciativës së tij qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” (Sloboda, demokratija, pravda-SDP). Ai e kritikoi mbështetjen e Listën Serbe nga Beogradi dhe paraqitjen e kësaj si të vetmen alternativë të Serbëve të Kosovës. Në kohën kur u vra ai ishte në proces rigjykimi për krime lufte lidhur me dëbimin e shqiptarëve nga veriu i Kosovës.