Shala do ta mbajë dënimin në burg edhe për rreth pesë vjet e gjysmë, meqë ai ndodhet në paraburgim që nga 2019-a. Sipas aktvendimit, ai si pjesëtar i UÇK-së, bashkë me gjashtë bashkëluftëtarë të tjerë, më 26 qershor 1998 kanë marrë peng nga shtëpia e tij viktimën Haxhi Përteshi, i cili u gjet i vrarë disa ditë më pas në fshatin Duhël
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala, i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”, është dënuar me 9 vjet e 6 muaj burgim për krime lufte ndaj popullatës civile.
Sipas aktvendimit të shpallur nga Gjykata Themelore e Prizrenit, Shala do ta mbajë dënimin në burg edhe për rreth pesë vjet e gjysmë, meqë ai ndodhet në paraburgim që nga 2019-a.
“E ka gjykuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 9 vjet e 6 muaj, në të cilin dënim llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 24.5.2019”, ka deklaruar Raima Elezi, kryetare e trupit gjykues.
Sipas aktvendimit, Shala si pjesëtar i UÇK-së, bashkë me gjashtë bashkëluftëtarë të tjerë, më 26 qershor 1998 kanë marrë peng nga shtëpia e tij viktimën Haxhi Përteshi, i cili u gjet i vrarë disa ditë më pas në fshatin Duhël.
Dyshimet e Shalës dhe të bashkëluftëtarëve për viktimën ishin se ai bashkëpunonte me forcat serbe.
Kësisoj Shala u dënua për bashkëkryerje të veprës penale: krim i luftës kundër popullatës civile, ndërsa gjashtë personat e tjerë vazhdojnë të jenë të paidentifikuar për organet e drejtësisë.
Me shpalljen e tij fajtor u shprehën të kënaqur familjarët e viktimës, por u ndanë të zhgënjyer me lartësinë e dënimit.
“Paralajmërojmë ankesë sa i përket lartësisë së sanksionit penal, duke kërkuar nga Gjykata e shkallës së dytë që këtë dënim ta rrisë, përkatësisht ta ashpërsojë”, ka deklaruar Asdren Hoxha, avokat i familjes së viktimës.
E, jashtë objektit të Gjykatës pati përplasje verbale mes familjarëve të të dënuarit dhe atyre të viktimës.
Rasti i Remzi Shalës aktualisht është në rigjykim, meqë në korrik të 2019-s për këtë vepër ai u dënua me 14 vjet burgim, por për shkak të ankesave të mbrojtjes deri në Gjykatën Supreme, rasti është kthyer në rigjykim.