Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Institucionet qendrore nuk organizuan ndonjë aktivitet për 28 Nëntor. Ndryshe vepruan komunat

Zyrtarisht, 28 nëntori në Kosovë është ditë memoriale. Institucionet qendrore nuk organizuan ndonjë aktivitet, por të kundërtën e bënë ato lokale. Seancë solemne e Kuvendit Komunal u mbajt edhe në Zveçan, komunë e banuar kryesisht me serbë, por nga një fshat i së cilës është njëri prej dy figurave qendrore, me të cilat identifikohet shpallja e pavarësisë së Shqipërisë.

Dita e Pavarësisë së Shqipërisë është shënuar pa ndonjë aktivitet të organizuar nga institucionet kryesore të nivelit qendror në Kosovë.

Përgjatë vitit kremtohen 11 festa zyrtare, por në to nuk bën pjesë edhe 28 Nëntori. Bazuar në ligjin e nxjerrë në 2008-n, kjo kategorizohet ditë memoriale dhe zyrtarisht njihet si “Dita e Shqiptarëve”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Megjithëkëtë, administrata publike e pati pushim.

Por, në nivelin lokal, autoritetet vepruan ndryshe. 

Në 112-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, seancë solemne organizoi edhe Kuvendi Komunal i Zveçanit, komunë e banuar kryesisht me serbë, por meqë ata braktisën institucionet, udhëhiqet nga shqiptarët.

Kryetari Ilir Peci tha se me këtë seancë kujtohet dita kur ëndrra e shqiptarëve u realizua. 

“Vendi ynë ka kaluar nëpër shumë sfida, por kurrë asnjëherë nuk u zhgënjye. Sot më shumë se kurrë ne duhet të kujtojmë se bashkimi bën fuqinë. Zveçani dhe pasuria kulturore që ofron është shembull i gjallë i bashkëjetesës dhe i një respektit të ndërsjellë”, tha ai.

Nga një fshat i Zveçanit ishte njëri prej eksponentëve kryesorë, me të cilët identifikohet shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. Isa Boletini, i cili udhëhoqi kryengritjen kundër serbëve, me bashkëluftëtarë mbërriti në Vlorë pak çaste pas shpalljes së pavarësisë.

E, heronj të Kosovës që ranë ndër breza, u kujtuan edhe në seanca të tjera solemne që organizuan shumë komuna. Në disa sosh pati programe tërëditore.

28 nëntori për shqiptarët shënon edhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e komandantit Adem Jashari.