Të dhënat për situatën me sëmundjen e shkaktuar nga virusi HIV në Kosovë për vitin 2025 u prezantuan gjatë një tryeze të organizuar me rastin e Ditës Botërore kundër AIDS-it. Në këtë tryezë u bë e ditur se gjatë këtij viti janë regjistruar 31 raste të reja të prekur nga virusi HIV, ndërsa 6 persona kanë humbur jetën si pasojë e sëmundjes. Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thanë se moshat më të prekura nga kjo sëmundje janë 25 deri në 35 vjeç
Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 31 raste të reja me sëmundjen ngjitëse AIDS, ndërsa 6 persona kanë vdekur si pasojë e kësaj sëmundjeje.
Të dhënat u prezantuan në tryezën e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, me rastin e shënimit të Ditës Botërore kundër AIDS-it.
Sipas Luljeta Gashit nga Departamenti i Epidemiologjisë në IKSHPK, moshat më të prekura janë 25–35 vjeç, ndërsa meshkujt përbëjnë 82% të rasteve të të infektuarve.
Gashi tha se që nga viti 1986 deri në vitin 2025 në Kosovë janë raportuar gjithsej 246 raste, prej tyre 57 deri tash kanë vdekur.
“Rastet me HIV/AIDS në Kosovë që nga viti 1986 deri në vitin 2025 tregojnë një rritje krahasuar me vitet paraprake. Në vitin 2022 kemi pasur 21 raste, në vitin 2023 gjithsej 20 raste, ndërsa në vitin 2024 janë regjistruar 34 raste. Numri më i madh i rasteve është shënuar në Komunën e Prishtinës, me 76 raste dhe 12 vdekje si pasojë e AIDS-it. Pas Prishtinës vjen Komuna e Prizrenit me 32 raste dhe 5 të vdekur. HIV/AIDS vazhdon të mbetet një sëmundje me mbizotërim urban. Sipas gjinisë, 82% i përkasin gjinisë mashkullore dhe 18% gjinisë femërore”, tha Gashi.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, rrugët kryesore të përhapjes së HIV/AIDS-it në Kosovë mbeten ato heteroseksuale me 48%, të pasuara nga ato homoseksuale me 35%.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë, Merita Vuthaj, tha se përballja me HIV/AIDS-in është një sfidë globale.
Ajo shtoi se nga fillimi i vitit të ardhshëm do të nisë shpërndarja e terapisë PrEP në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor.
“Në fillim të vitit 2026, Ministria e Shëndetësisë do të fillojë pilotimin e shpërndarjes së terapisë PrEP (profilaksia para-ekspozimit për HIV) në institucionet e kujdesit parësor. Ky aktivitet buron nga nisma për hartimin dhe hulumtimin e PSO-së për shpërndarjen e PrEP-it dhe pritet të hapë rrugë për parandalimin e HIV-it, sidomos te grupet me rrezik të lartë”, u shpreh Vuthaj.
Ndërsa drejtoresha e IKSHPK-së, Ardita Baraku, deklaroi se viti 2025 ka qenë kritik sa i përket përgjigjes globale ndaj HIV/AIDS-it, për shkak të kufizimeve të fondeve.
“Në Kosovë, ashtu si edhe në shumë vende të tjera është bërë kufizimi i fondeve, me ç’rast është rrezikuar përparimi drejt objektivave të planifikuara deri në vitin 2030. Si pasojë, shumë njerëz po përballen me rreziqe dhe cenueshmëri për të drejtat e tyre për shëndet dhe dinjitet. Prandaj, nevojitet prioritizimi dhe integrimi i shërbimeve”, tha ajo.
Udhëheqësi i Programit për Rini në UNFPA, Besnik Sherifi, theksoi se UNFPA në Kosovë ka kontribuar prej vitesh në parandalimin e HIV/AIDS-it përmes programeve të ndryshme.
“Deri në vitin 2015 kemi dhuruar miliona kondomë për Ministrinë e Shëndetësisë që të shpërndahen falas për popullatën përmes kujdesit parësor shëndetësor. Sot ne vazhdojmë të mbështesim OJQ-të që përmes marketingut social u mundësojnë të rinjve qasje të lehtë në kondomë mashkullore falas nëpër aktivitete dhe me çmim shumë të volitshëm në barnatore”, tha Sherifi.
E sipas të dhënave të ISHP-së, gjatë vitit 2025 në Shqipëri janë diagnostikuar 125 raste të reja me HIV. Numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara nga viti 1993 deri në tetor 2025 ka arritur në 1,973, me një prevalencë kombëtare prej 0.08% dhe një incidencë prej 5.3 rastesh për 100,000 banorë.
Shpërndarja sipas grupmoshave tregon se më të prekurit janë personat 35–44 vjeç (27.8%) dhe 25–34 vjeç (26.9%), pra grupmoshat më aktive.
Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, gjatë të njëjtit vit janë regjistruar 38 raste të reja me HIV/AIDS, që korrespondojnë me një incidencë prej 2.1 rastesh për 100.000 banorë.
Dita Botërore e Luftës kundër HIV/AIDS-it shënohet çdo vit më 1 dhjetor, me synim rritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimin e solidaritetit global në përballimin e kësaj pandemie.
HIV do të thotë Virus i Imunodefiçiencës Humane. Ky virus depërton në trup dhe dëmton sistemin imunitar. Ndërsa AIDS do të thotë Sindromë e Imunodefiçiencës së Fituar dhe konsiderohet stadi më i rëndë i infeksionit me HIV. Në këtë stad sistemi imunitar është shumë i dobët dhe trupi bëhet i pambrojtur ndaj infeksioneve të tjera.