Instituti i Kosovës për Drejtësi ka prezantuar të shtunën raportin me titullin “Dështimi i drejtësisë në luftimin e korrupsionit”, në të cilin ka prezantuar rezultatet e punës së prokurorive dhe gjykatave në trajtimin e korrupsionit gjatë vitit 2022. Sipas hulumtuesve, hetimi i korrupsionit nga prokurorët i ngjanë më shumë atij administrativ, ndërsa Prokurori i Shtetit ka pësuar regres në zgjidhjen e tyre
Prokurori i Shtetit nuk arriti t’i përmbyllë lëndët që i pranoi gjatë gjithë vitit 2022, duke pësuar regres në zgjidhjen e rasteve që ndërlidhen me korrupsionin, theksohet në raportin “Dështimi i drejtësisë në luftimin e korrupsionit”, të cilin e ka publikuar të shtunën Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, tha se krahasuar me vitin paraprak, në fillim të 2022-s numri i lëndëve të pazgjidhura rezultoi më i lartë.
Ai potencoi se vitin e shkuar janë ngritur 90 aktakuza që përfshijnë 98 persona të akuzuar për vepra penale korruptive dhe se vetëm tetë prej tyre janë figura të profilit të lartë.
“Vetëm 1 prej tyre është akuzuar sa ka qenë zyrtar, ndërsa 7 të tjerë janë akuzuar për periudhën kur të njëjtit më e kanë përfunduar funksionin e tyre për çka akuzohen. Kjo lë një shije te publiku se Prokurori i Shtetit po akuzon vetëm personat e profilit të lartë në një kohë kur ata më vetëm sa po e humbin fuqinë dhe jo gjatë kohës sa të njëjtit janë duke ushtruar pozicionin e tyre zyrtar e për të cilat po akuzohen”, ka thënë Shala. “Dëmi për të cilat Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë nga të gjitha aktakuzat dominon vlera në mes 10 mijë dhe 50 mijë euro”.
Një problematikë tjetër që Shala thotë ta kenë identifikuar është se Prokurori i Shtetit në aktakuzat ndaj 22 personave nuk ka specifikuar dëmin që pretendohet të jetë kryer.
“Kjo është problematike edhe në kuptim të faktit se Gjykata pothuajse pamundësohet që të shqiptojë në fund dënimin plotësues, urdhrin për konfiskimin e humbjes apo dëmit për shkak se dëmi nuk është i specifikuar në aktakuzë dhe aspekt tjetër që mbetet problematik është provat me të cilat Prokuroria po e ndjek korrupsionin”, ka thënë hulumtuesi i IKD-së.
Shala tha se më së shumti aktakuza, 25, u ngritën nga Prokuroria Speciale e më së paku nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, 3 gjithsej.
E Lavdim Mekshana, hulumtues i IKD-së, shprehu vërejtjen për zbatimin e politikave të ulëta ndëshkimore dhe moszbatimin e dënimeve plotësuese në rastet e korrupsionit.
Krahas kësaj, ai theksoi se 32 për qind e rasteve të tilla janë kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.
“IKD-ja ka gjetur raste të korrupsionit për të cilat aktakuza është ngritur qysh para 14 vjetësh. Pra, ka aktakuza të cilat janë ngritur qysh nga viti 2009. Këto janë 9 raste të korrupsionit, aktakuzat e të cilave janë ngritur prej vitit 2009 deri 2015 që tregon për mosefikasitet, por edhe për neglizhencë të rasteve, të trajtimit të rasteve të korrupsionit, duke e ditur që edhe tash në vitin 2023 këto lëndë nuk kanë marrë një epilog përfundimtar”, ka thënë Mekshana.
E Gzim Shala thotë se Prokurori i Shtetit në aktakuzën ndaj 22 personave nuk ka aplikuar masa të fshehura të hetimeve.
“Atëherë del se Prokurori i Shtetit më tepër po bën hetim administrativ në rastin e korrupsionit sesa një hetim penal dhe që fatkeqësisht në shumë raste kjo më pastaj po na reflektohet edhe në Gjykatë për shkak se Prokurori i Shtetit thotë se ka ngritur një numër të konsiderueshëm të aktakuzave derisa në Gjykatë këto aktakuza po përfundojnë me hedhje ose me aktgjykime liruese për shkak të mungesës së provave”, ka thënë Shala.
Gjatë vitit 2022, sipas Instituti të Kosovës për Drejtësi, janë parashkruar 16 raste të 28 personave, me dëm financiar deri në 6 milionë euro.