LAJMET E MBRËMJES

IKD-ja dhe GLPS-ja akuzojnë u.d. të kryeprokurorit Agon Qalaj se po e pengon reformën në KPK

Organizata të shoqërisë civile kanë reaguar ndaj vendimit të kryeprokurorit Agon Qalaj për të mos e konsideruar të miratuar rendin e ditës që u votua nga tre prej pesë anëtarëve të pranishëm. Ato e kanë fajësuar atë për pengim të reformës në drejtësi

Shoqëria Civile ka reaguar ndaj mënyrës se si ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Agon Qalaj ka udhëhequr mbledhjen e së martës, të parën pas ndryshimeve ligjore, në të cilën ai konstatoi se tre prej pesë anëtarëve nuk e bëjnë shumicën.

Qalaj, i cili tha se duhet të jenë katër anëtarë, meqë Këshilli numëron shtatë, është fajësuar për pengim të reformës në drejtësi. 

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kanë theksuar se propozimi për rend dite ku përfshihej si pikë e parë e rendit të ditës certifikimi i Elza Bajrami-Kastratit ka marrë shumicë votash. 
Sipas kësaj organizate, kuorumi për vendimmarrje është pesë anëtarë në bazë të ligjit të ri, ndërsa tre paraqesin shumicën e thjeshtë të paraparë me ligj. 

“Sipas kësaj dispozite, situata është plotësisht e qartë: KPK ka kuorum të mjaftueshëm prej pesë (5) anëtarësh për mbajtjen e takimit. Ndërkaq, vendimmarrja merret me shumicën e thjeshtë të votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit. Ligji nuk i referohet tërësisë së numrit të anëtarëve, por i referohet ‘anëtarëve të Këshillit’, të cilët aktualisht janë pesë (5), dhe shumica e thjeshtë e tyre është tre (3). IKD vlerëson se ndërhyrje të tilla në procedurën e vendimmarrjes përbëjnë tentativë për të sabotuar reformën në KPK përmes shkeljeve të hapura ligjore. Instituti i Kosovës për Drejtësi konsideron se përgjegjësia për këtë situatë i takon drejtpërdrejt ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, i cili, në vend se të sigurojë zbatimin e ligjit dhe funksionimin ligjor të KPK-së, ka zgjedhur të bllokojë një proces të rregullt dhe të ligjshëm vendimmarrës”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Qalaj në mbledhjen e kaluar shpërfilli propozimin e tre anëtarëve për ta futur si pikë të parë certifikimin e Bajrami-Kastratit që u zgjodh anëtare e KPK-së vitin e kaluar. 

E pasi ky propozim për rend dite u votua me shumicë votash, ai konsideroi se nuk ka kaluar. 

Për këtë ka reaguar edhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), tek ka bërë thirrje që të gjithë anëtarët t’i përmbushin obligimet e tyre ligjore. 

“Në fund, GLPS mbetet me shpresë që Këshilli në një kohë sa më të shkurtër do të ketë përbërje të plotë prej 7 anëtarëve, kurse deri atëherë iu bën thirrje të gjithë anëtarëve aktualë të Këshillit që të kontribuojnë në mbarëvajtjen e veprimtarisë së këtij institucioni dhe të ushtrojnë mandatin e tyre konform obligimeve ligjore”, thuhet në reagimin e GLPS-së.

GLSP-ja në reagim ka shkruar se çdo tentativë për të mos zbatuar ligjet në fuqi, nuk mund të interpretohet ndryshe, veçse tendencë për pengim të reformës.