Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se operacioni i zhvilluar të martën, ka kaluar pa incidente. “Kemi asistuar zyrtarët e Ibër-Lepencit për të hyrë në një objekt te liqeni i Ujmanit”, ka thënë Elshani. Menjëherë ka reaguar Serbia
Policia e Kosovës ka ofruar asistencë për zyrtarët e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenci në veri të vendit, për të hyrë në një objekt pranë liqenit të Ujmanit, që dyshohet se përdorej nga një institucion paralel i Serbisë.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se operacioni i zhvilluar të martën, ka kaluar pa incidente.
“Kemi asistuar zyrtarët e Ibër-Lepencit për të hyrë në një objekt te liqeni i Ujmanit”, ka thënë ai.
Për këtë aksion, ka reaguar drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ka thënë se do ta informojë komunitetin ndërkombëtar për të.
Petkoviq tha se ky është një objekt që është përdorur “ekskluzivisht për trajnimin e fëmijëve dhe pjesëmarrësve në kurset e Kryqit të Kuq, trajnime në fushën e ndihmës së parë dhe shpëtimit, gara të ndryshme sportive, trajnime dhe ligjërata, akomodimin e turistëve dhe sportistëve që qëndronin në këtë pjesë të Kosovës”.
“Një numër i madh i policëve hynë në objekt, ku kryen hetime dhe nuk lejuan askënd, as rojën, që t’i shoqërojë gjatë hetimeve, që lë hapësirë për manipulime nga falangat e Kurtit”, ka thënë ai në një komunikatë për media.
Ka reaguar edhe Lista Serbe, subjekti më i madh i serbëve në Kosovë.
“Ndërhyrja brutale e njësive të policisë së Kosovës në objektin në liqenin e Gazivodës, i cili i përket Kryqit të Kuq të Kosovës dhe Metohisë, me urdhër të Albin Kurtit... përbën një shkelje të rëndë të të gjitha konventave ndërkombëtare përkatëse”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
Ditë më parë, ato morën nën kontroll objektin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Mitrovicën e Veriut, si dhe mbyllën edhe hapësirat e palestrës sportive, muzeut të qytetit, Institutit për Kulturë, Rini, Sport dhe Shërbime të Specializuara, si dhe të Shoqatës Kulturore-Artistike Kosovski Bozhur.
Bashkimi Evropian i ka cilësuar të njëanshme dhe të rrezikshme për përshkallëzim të situatës, veprimet të autoriteteve të Kosovës.