LAJMET E MBRËMJES

I vihet dryni “Orendas”, në Gjakovë u protestua kundër dhunës ndaj të moshuarës

Në Gjakovë është protestuar pas publikimit të një videoje në të cilën shihet një nga të moshuarat e strehuara aty tek rrahet nga një infermiere dhe tek tallet nga punonjëse të tjera. Protestuesit kërkuan dënim maksimal për infermieret që janë arrestuar prej dy ditësh e edhe mbylljen e qendrës për përkujdesje të të moshuarve “Orenda” në Pejë, ku ka ndodhur rasti. Ministria e Financave kumtoi se ia ka revokuar licencën kësaj qendre.

Dyert e qendrës për përkujdesje të të moshuarve “Orenda” në Pejë do të mbyllen që nga e hëna.

Institucionet ia kanë hequr licencën dy ditë pas publikimit të një videoje në të cilën shihet një nga të moshuarat e strehuara aty tek rrahet nga një infermiere dhe tek tallet nga punonjëse të tjera.

“Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëhershëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit. Me përmbylljen e raportit të inspektimit i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale. Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) obligohet të dorëzojë licencën dhe të mbyllë aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale”, ka njoftuar Ministria e Financave.

Mbyllja e kësaj qendre për përkujdesje ndaj të moshuarve ka qenë një nga kërkesat e qytetarëve që mesditën e së premtes protestuan në Gjakovë, komunë në të cilën kishte rënë dëshmor djali i të moshuarës që i është nënshtruar dhunës. Ata kërkuan edhe dënim maksimal për infermieret, që prej dy ditësh ndodhen në paraburgim.

Në protestë ishin edhe familjarë të së moshuarës që përjetoi dhunën.

“Mama nuk më ka vetëm mu, vetëm Zhanetën, Milotin, Taulantin, unë çka pashë sot mama ju paska krejt juve”, ka thënë Zhaneta Nura, e bija e së moshuarës që përjetoi dhunë.

E, organizatorët e protestës thanë se dhuna e ushtruar i ka kthyer vite mbrapa.

“Ne nuk kemi prit që motrat tona shqiptare ta përdorin një dhunë, një abuzim ndaj një nëne, posaçërisht ndaj një nëne të dëshmori. Kjo na përçon një mesazh jo të mirë te gjeneratat e reja, sepse fakti që është përdorur një dhunë na kthen në kohën kur serbët, forcat paramilitare, kanë përdorur dhunë në nënat dhe motrat tona”, ka thënë Shkëndije Hoda.

“Kërkojmë prej Qeverisë, prej ministres së Drejtësisë, prej çdo prokurori, çdo avokati, deri te ma i vogli, që t’u jepet dënimi maksimal, këto të mos mbrohen, këto duhet të dënohen. Jo vetëm këto, por çdokush që bën krim”, ka deklaruar Haxhere Bytyqi.

Të enjten Gjykata Themelore në Pejë caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh për tri infermieret e dyshuara për ushtrim të dhunës ndaj të moshuarës. Pas publikimit të videos Oda e Infermierëve të Kosovës ua ka hequr atyre të drejtën për ta ushtruar profesionin.