Në seancën gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, njëri nga tre të akuzuari, Tom Dodaj, kërkoi t’i ulet dënimi nga aktgjykimi i shkallës së parë. Dodaj që ka apeluar dënimin prej 5 vjet burgim, akuzohet se ua shiti armën Naim Murselit e Granit Plavës për 280 euro, dhe e cila armë dyshohet se u përdor më pas për vrasjen e Ademajt
Zbutje të dënimit ka kërkuar të mërkurën në Gjykatën e Apelit, Tom Dodaj. Ai akuzohet se më 29 nëntor 2023, ua shiti armën të pandehurve Naim Murseli e Granit Plava për 280 euro, e cila pas disa orësh dyshohet se u përdor për vrasjen e Liridona Ademajt.
Dodaj në seancën fillestare pati kërkuar falje, e edhe e pati pranuar fajësinë.
Për këtë gjykata e pati dënuar me 5 vjet burgim. Por, me dënimin e shkallës së parë ai nuk u pajtua dhe e apeloi atë.
“Desha me shpreh ngushëllime për familjen e Liridonës. Më vjen shumë keq, unë e kam pranu fajësinë për armëmbajtje, por kurrfarë dijenie nuk kam pasë, më vjen shumë keq. Unë për veti shpirtnisht them që nuk kam ditë diçka për rastin që ka ndodh”, ka deklaruar Dodaj.
Në aktgjykimin e janarit të këtij viti, si rrethanë lehtësuese, gjykata ka marrë pranimin e fajësisë nga i akuzuari si dhe shprehjen e pendesës nga ai, e si rënduese rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale.
Ndryshim të aktgjykimit ka kërkuar edhe avokati i Tom Dodajt, Agron Kuçi.
“Për rrjedhim mbrojtja e konsideron se vepra penale është kryer pa një qëllim. Gjykata nuk i ka vlerësuar në mënyrë objektive gjatë shqiptimit të dënimit, nuk e ka mat dënimit sa i përket këtyre rrethanave. Ky vendim të ndryshohet, apo të rikthehet në gjykim, apo të pandehurit t’i shqiptohet një dënim me gjobë, i cili arrin efektin e dënimit”, ka thënë Kuçi.
Me këtë kërkesë nuk u pajtua pala e dëmtuar.
Avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla, tha se qëndrojnë pranë propozimit të Prokurorisë, që të vërtetohet vendimi i shkallës së parë me burgim prej 5 vjetësh.
“Këtë kolegj të Apelit e njoftojmë se pas seancës familja Ademaj ka hapur dyert për zotëri Dodaj për vizitë e ngushëllime, por që informacione të panjohura zotëri Dodaj deri më sot nuk është paraqitur për sot për ngushëllime. Kësisoj kërkojmë që të vërtetohet vendimi i shkallës së parë dhe qëndrojmë me të njëjtat pretendime si në shkallë të parë”, ka theksuar Syla.
Për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të 2023-tës akuzohen bashkëshorti i saj, Naim Murseli, si dhe Granit Plava e Kushtrim Kokalla.