Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë të martën se organet e rendit janë të gatshme për çfarëdo sfide të sigurisë, pas kërcënimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Kosova mund të ketë pasoja të paparashikueshme për shkak të arrestimit të zyrtarit serb, Igor Popoviq. Hoxha e ka cilësuar të qetë situatën në Kosovë, por ka thënë se në veri ka tendencë destabilizuese
Policia e Kosovës është e gatshme për çfarëdo sfide të sigurisë, ka thënë të martën drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, duke iu përgjigjur kërcënimeve të adresuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiqi ka theksuar të dielën se arrestimi i zyrtarit serb, Igor Popoviq, mund të prodhojë pasoja të paparashikueshme, duke paralajmëruar se reagimi do të jetë i ashpër dhe i fuqishëm.
Por, Hoxha ka theksuar se Policia është në gatishmëri.
“Ne i dimë qëllimet e politikës së Serbisë, nuk është që gjithmonë kanë qenë apo fare herë kanë qenë në përkrahje të paqes dhe sigurisë në vendin tonë. Ne jemi të përgatitur për të gjitha sfidat që mund të ndodhin në vendin tonë”, ka theksuar ai, në një konferencë shtypi në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME).
Edhe Agjencia e Sigurisë dhe e Inteligjencës e Kroacisë (SOA) ka vlerësuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të paqëndrueshme dhe se në këto rrethana përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë paraqet një rrezik të vazhdueshëm.
Në vlerësimin e saj për Kosovën, siç raporton REL-i, SOA-ja e ka theksuar ekzistencën e grupeve që e synojnë destabilizimin e situatës në veri.
E drejtori i Policisë, Hoxha, ka thënë se në përgjithësi situata në Kosovë është e qetë, përpos në veriun e banuar kryesisht me serbë dhe ku ka theksuar se ka ende tendenca destabilizuese.
“Situata e sigurisë së Kosovës është e qetë dhe stabile përveç pjesës së Veriut, ku vazhdon të jetë e brishtë për shkak të veprimeve të politikës që shpeshherë Qeveria e Serbisë, përveç grupeve të ndryshme kriminale, ekstremiste e terroriste e shkakton në pjesën veriore të Kosovës”, ka thënë ai.
Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka konsideruar kërcënuese dhe të papranueshme deklaratat e Vuçiqit, teksa qytetarëve u ka bërë thirrje që të shmangin udhëtimet nëpërmjet Serbisë.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt territorit të Serbisë, pasi ka indikacione për rrezikim nga provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe. I ftojmë qytetarët për maturi, bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe ruajtje të unitetit dhe qetësisë. Po ashtu i bëjmë thirrje BE-së, NATO-s dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare të reagojnë qartë dhe me vendosmëri ndaj kërcënimeve të Vuçiqit, që nuk janë thjesht deklarime politike, por pjesë e një fushate të mirorganizuar për destabilizimin e Kosovës e të rajonit tonë”, ka deklaruar Kurti të hënën.
Zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, është arrestuar në Kosovë para katër ditësh, pasi që gjatë një fjalimi në Rahovec e ka kualifikuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste. Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar atij masën e paraburgimit prej një muaji, mbi dyshimet për veprën penale “Nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.
Popoviqi dyshohet se më 18 korrik, gjatë një fjalimi me serbët lokalë në fshatin Hoçë të Madhe të Rahovecit, e ka quajtur UÇK-në organizatë terroriste, ndërkohë e ka akuzuar edhe bashkësinë ndërkombëtare për “heshtje ndaj autorëve të krimeve ndaj serbëve”.
Arrestimi i tij është bërë po atë ditë, në pikën kufitare me Serbinë në Bërnjak.