Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dëshmuar në seancën gjyqësore për rastin e 53-milionëshit, ku i akuzuar kryesor është ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tani deputet i Kuvendit. Haradinaj ka thënë se vendimi për ndarjen e 53-milionë eurove shtesë për kompaninë “Bechtel-Enka” ka qenë i drejtë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka kualifikuar të drejtë vendimin për ndarjen e 53 milionë eurove shtesë në emër të vonesave për kompaninë “Bechtel-Enka”, që e ka ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.
Në seancën gjyqësore për rastin, ku i akuzuar kryesor është ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, Haradinaj, i cili asokohe ishte kryeministër, është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit të propozuar nga mbrojtja e të akuzuarve.
Ai theksoi se vendimi arsyetohet me faktin se çështja pati mbetur në tavolinë dhe duhej t’i jepej një epilog.
Eset Berisha që po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte në pozitën këshilltar politik i Lekës, i ka shtruar disa pyetje Haradinajt.
“E keni njohur problematikën rreth projektit të autostradës Prishtinë-Han i Elezit dhe kërkesës së operatorit për kohëzgjatje. Hezitimit ndoshta të ish-qeverive për të marrë vendim. A konsideroni se ka qenë vendim i duhur dhe i drejtë i Qeverisë së Kosovës aprovimi i kërkesës së ‘Bechtel-Enkas’ dhe cila do të mund të ishte alternativa? A ka qenë vendim i drejtë për zgjidhjen e çështjes me ‘Bechtel-Enkan’?”, ka pyetur Berisha.
Haradinaj ka thënë se nëse ky projekt nuk do të përmbyllej kishte kërcënim se do të përballeshin në Arbitrazh.
“Po. Bazuar në procedurat e vendimmarrjes së brendshme për mbylljen e një teme që ka qenë në tavolinë. Arsyeja është se projekti në fjalë, në gjendjen e atëhershme nuk do të mund të vazhdonte pa arritjen e një konkluzioni për obligimin financiar me operatorin edhe pastaj çështja do të kalonte në një proces gjyqësor ndërkombëtar, që do të ishte po ashtu një proces i vështirë për Kosovën. Pra, projekti në fjalë do të ndërpritej edhe pa përmbushjen e obligimit financiar projekti do të kalonte në shqyrtim ligjor në instanca që parashihen në këto raste, pra në Arbitrazh”, ka thënë Haradinaj. “Pra projekti në fjalë do të ndërpritej edhe pa përmbushjen e obligimit financiar do të kalonte në shqyrtim ligjor në instanca që parashihen në këto raste, pra në Arbitrazh”.
Haradinaj theksoi se operatori ekonomik ishte treguar i vendosur për t’u zgjidhur obligimi financiar, teksa shtoi se problem ishte i trashëguar.
Atdhe Dema, prokuror i prokurorisë speciale, e pyeti Haradinajn nëse ka qenë në dijeni për ndëshkimin apo penaltitë, në rast të mospërmbushjes së obligimeve kontraktuale.
“Kontrata bazë e lidhur mes Qeverisë dhe OE ka qenë 600 milionë euro, shumë fikse, me lëvizje plus-minus deri në 10 për qind. A ju ka njoftuar dikush, qoftë nga Ministria, këshilltarët apo anëtarët e tjerë të kabinetit që në kontratën bazë për vonesat parashihen penaltitë apo ndëshkimi. Pra, cilado palë qoftë, për vonesa është mënyrë E qartë e paraparë me kontratë që në çdo vonesë parashihet penalti e jo marrëveshje të reja?”, ka thënë Dema.
Haradinaj tha se nuk i kujtohen aspektet profesionale e pyetja u kundërshtua nga mbrojtësit e të akuzuarve.
Prokurori Dema pyeti Haradinajn nëse ka pasur shkresë zyrtare se do të ballafaqohen me Arbitrazh, e kryetari i AAK-së tha se ka pasur qëndrim gojor nga Operatori Ekonomik se shkresën do ta pranojnë si palë e paditur.
Dema tutje ka pyetur edhe për opinionin e dhënë nga “Hill International” për çështjen e realizimit të kërkesës së “Bechtel-Enka”.
“A ju kujtohet që vlera e lejuar e ‘Hill International’ si mbikëqyrës i kontratës ka qenë 14 milionë e 777 mije e 654 euro, vetëm këtë shumë e ka lejuar Hill, i cili është kontraktuar nga ana e Qeverisë. Dmth, kur është parashtruar kërkesa për 53 milionë euro këta kanë thënë vetëm kaq duhet të paguhet, çdo cent më shumë është dëmtim i buxhetit?”, ka thënë Dema.
E Haradinaj deklaroi se dokumentin në fjalë ka mundësi ta ketë parë, porse nuk e mban mend.
“Shifrat nuk i kam të ruajtura preciz, por e di se në etapa ka pasur përpjekje me mbërri përmbyllje të obligimeve financiare edhe më herët nga qeveritë e mëhershme me zgjidhë çështjen. Nuk jam në dijeni të këtij propozimi të këtillë në kohën e përmbylljes së çështjes financiare”, ka thënë Haradinaj.
Pas Haradinajt, në pjesën e dytë të seancës dëshmoi Argjend Zenaj, ish-këshilltar politik i Lekajt.
Më se dy vjet më parë, KOHA pati siguruar një raport të kompanisë “Hill”, që ishte kontraktuar nga Qeveria për mbikëqyrjen e ndërtimit të autostradës. Në dokument theksohej se detyrimi monetar në raport me “Bechtel-Enkan” ishte 14 milionë euro.
Ish-ministri Pal Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, ish-këshilltari i Lekajt, Eset Berisha, ish-sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, Nebih Shatri dhe drejtori i Prokurimit Publik në këtë ministri, Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.
Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38,32.346 eurosh. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 4 shkurt 2021, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit. Ndërsa, më 19 shkurt, PSRK-ja njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.