Ramush Haradinaj është rizgjedhur edhe për një mandat kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Në Kuvendin zgjedhor të kësaj partie, ai nuk ka lënë anash kritikat ndaj partisë në pushtet. I quajti politikanë të pangopur për protagonizëm e mosbesues. Sipas Haradinajt, partia që ai drejton do të udhëheqë e do ta shpëtojë Kosovën nga populistët dhe oportunistët.
Politikanë të pangopur në protagonizëm dhe populistë i ka quajtur kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, udhëheqësit shtetërorë.
Në Kuvendin Zgjedhor të AAK-së, ku mori bekimin e delegatëve edhe për një mandat si lider i partisë që themeloi, Haradinaj ka kritikuar pushtetin për situatën, siç ka thënë, të rënduar që gjendet Kosova.
“Kosova është e trembur dhe reaguese. Pse kështu? Sepse ata që duhet ta ndërrojnë këtë gjendje janë oportunistë. Jetojnë në ujëra të qeta, edhe kur Kosova është në stuhi. Janë përfitues rasti, shijojnë privilegje për konsum të tyre e për fat të keq ka shumë si në nivel qendror e në atë lokal”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se si parti kanë për qëllim rritjen ekonomike, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në njohjen reciproke, anëtarësimin në NATO, në BE dhe në OKB.
Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se do ta rikthejnë AAK-në në forcën e parë politike, derisa ka përmendur vendimet e ish-Qeverisë Haradinaj.
“Gjatë rrugëtimit nuk kemi kalkuluar për disa vota. Ka pasur momente kur iu kemi dalë disa proceseve shumë të dëmshme për vendin përpara. Ka pasur momente kur kemi shkuar në dialog me u ballafaqu me Serbinë duke qenë opozitë kryesore”, ka thënë Tahiri.
Kuvendi i AAK-së të dielën ka zgjedhur Ramush Haradinaj kryetar për një mandat tjetër katërvjeçar. Në votim kanë marrë pjesë 528 delegatë, prej të cilëve 518 kanë qenë për, 2 kundër, 3 abstenime dhe 5 vota kanë qenë të pavlefshme.
Haradinaj është në krye të kësaj partie që nga themelimi i saj.
Nga dhjetëra mijëra euro në vitin 2013, në miliona euro në vitet e fundit për spitalet turke