LAJMET E MBRËMJES

Hajdari: Aktakuza është politike, e afirmon tendencën politike të Prokurorisë kundër Qeverisë Kurti

Me tendencë politike e ka kualifikuar ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, aktakuzën që Prokuroria Speciale e ka ngritur ndaj saj dhe dy zyrtarëve të kësaj ministrie për rastin e rezervës shtetërore. Ajo i quajti pretendimet e prokurorisë të pabazuara, tek tha se provat janë mbledhur jashtëligjshëm. E kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, e përjashtoi nga përgjegjësia

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e kualifikoi tërësisht politike aktakuzën që Prokuroria Speciale e ngriti ndaj saj dhe dy zyrtarëve të ministrisë që e drejton për çështjen e rezervës shtetërore.

Ajo, bashkë me Irfan Lipovicën, Hafiz Garën e Ridvan Muharremin akuzohen për dëmtimin e buxhetit të shtetit prej rreth 3 milionë eurosh, lidhur me kontraktimin e rezervës shtetërore në vitin 2022.

Në një konferencë shtypi të premten, Hajdari tha se nuk qëndron asnjë pretendim i Prokurorisë Speciale dhe se aktakuza e afirmon tendencën politike të kësaj prokurorie ndaj Qeverisë Kurti.

“Prokuroria vendos që të më ndjek mua politikisht për të luftuar Qeverinë, e cila atë dhe shefin e tij Blerim Isuaj nuk lejoj që të avancohen në pozita që të vazhdonin të vepronin në dëm të shteti e për interesa të ndryshime duke mos anashkaluar ato të Serbisë si në rastin kur kanë anuluar urdhër arrestin kundër Milan Radojçiq”, ka thënë Hajdari.

Për provat e Prokurorisë Speciale, Hajdari tha se janë mbledhur në mënyrë të jashtëligjshme.

“Çdo pretendim tjetër është pohim në dobi politike që është i palejueshëm dhe i pamoralshëm marrë parasysh periudhën ku ndodheshim në shkurt dhe mars të 2022. Të gjitha të ashtuquajtura prova nga Prokuroria janë mbledhur jashtëligjshëm përmes hetuesve që kanë zbatuar urdhrin e prokurorit Valdet Gashi që i ka dërguar në MINT pa certifikatë të sigurisë”, u shpreh ministrja në detyrë.

E për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ajo theksoi se nuk pasur lidhje me ketë rast.

“Kurti ka të vetëm lidhje që ka aprovuar me kolegjin qeveritar kërkesën tonë të ligjshme sipas ligjit në fuqi për largimin nga procedurat nga prokurimi publik, sepse dështuam tri herë kjo është e vetmja ndërhyrjeje ligjore të Qeverisë”, ka shtuar ajo.

Pas ngritjes së aktakuzës, Hajdari tha se nuk do të japë dorëheqje nga detyra.

Aktakuza e ngarkon atë dhe dy zyrtarët e ministrisë se i keqpërdorën detyrat zyrtare për përfitime financiare për persona të tjerë dhe i shkaktuan dëm buxhetit rreth tre milionë euro.

Në aktakuzë thuhet po ashtu se Hajdari ka qenë në dijeni se çmimi i grurit të importuar nga një kompani turke ishte rreth 200 euro më shtrenjtë për ton, porse megjithëkëtë u vendos të vazhdohet me çmim më të lartë.