LAJMET E MBRËMJES

GLSP: Mbi 60 për qind e popullsisë beson se politika të bën të paprekshëm

“Kemi një ngritje prej 2.5 për qind të qytetarëve që mendojnë se politikanët janë të pandëshkueshëm dhe shikuar si tërësi, ky indikator tregon se mbi 60 për qind e popullsisë besojnë se politika të bën të paprekshëm nga drejtësia”, ka thënë Renata Bajami, hulumtuese në GLSP

Mbi 60 për qind e popullsisë beson se politikanët janë të pandëshkueshëm dhe se politika të bën të paprekshëm nga drejtësia, ka treguar një raport i publikuar të shtunën nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Në prezantimin e këtij raporti mbi performancën e sistemit gjyqësor dhe të atij prokurorial, bazuar në perceptimin e qytetarëve, është theksuar se të anketuarit mosbesimin më të madh e kanë shprehur në gjykata e prokurori.

Renata Bajami, hulumtuese në këtë organizatë, ka thënë në një konferencë shtypi se vetëm 22.7 për qind e të anketuarve kanë shprehur mendimin se qytetarët janë të barabartë përpara drejtësisë.

“Në krahasim me vitin e kaluar, trendi është negativ, pasi që kemi një ngritje prej 2.5 për qind të qytetarëve që mendojnë se politikanët janë të pandëshkueshëm dhe shikuar si tërësi, ky indikator tregon se mbi 60 për qind e popullsisë besojnë se politika të bën të paprekshëm nga drejtësia”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka theksuar se 70 për qind e të anketuarve iu besojnë më së paku gjykatave dhe prokurorive sepse mendojnë se kanë influencën më të madhe nga politika. Ndërsa organet më pak të influencuara politikisht i konsiderojnë Policinë e Kosovës me 17.4 për qind, si dhe Eulex-in me 10.4 për qind.

Bazuar në raport, gjykatat dhe prokuroritë janë institucionet që janë kualifikuar si më të influencuarat nga politika. Rreth 50 për qind e të anketuarve kanë thënë se institucionet e drejtësisë vazhdojnë të jenë të prekura nga dukuria e mitmarrjes.

E institucionet më të prekura nga kjo, sipas anketës, janë gjykatat si dhe prokuroria. Këtë e kanë shprehur 70 për qind të të anketuarve.

Ndërkaq janë vlerësuar edhe institucionet që janë më së paku efektive në luftën kundër korrupsioni. E në këtë rrafsh, të anketuarit e kanë vlerësuar Policinë e Kosovës si më efektive, si dhe më të besueshmen.

“Qytetarët së pari do të zgjidhnin të raportonin në Polici me 90.9 për qind e vetëm 0.4 për qind në Prokurori. Në krahasim me vitin e kaluar, përsëri institucioni më i besueshëm për qytetarët për të raportuar në rast korrupsioni apo krimi mbetet Policia e Kosovës me një rritje prej 12.3 për qind. 46.5 për qind e qytetarëve në vitin 2022 e radhisin Policinë e Kosovës si institucionin më të pavarur”, ka theksuar Renata Bajrami.

Iniciativat e Qeverisë për reformimin e sistemit të drejtësisë, përfshirë vettingun dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, qytetarët i kanë vlerësuar me notën mesatare 3.6, nga vlerësimi prej 1 deri në 5.

Liridon Salihu, hulumtues në GLPS, ka thënë se mbi 50 për qind e qytetarëve theksuan se nuk kanë vërejtur përmirësim të gjyqësorit.

“Gjykatat kanë arritur që të zgjedhin rreth 31 për qind të lëndëve që i kanë pasur në punë. Domethënë, me një trend të tillë, gjykatave u duhen edhe tre vjet për t’i përfunduar të gjitha lëndët që i kanë në punë, me kusht që nuk pranojnë lëndë të reja”, ka thënë Salihu.

Ai ka bërë të ditur se i njëjti vlerësim vlen edhe për Prokurorin e Shtetit.

Në raport është theksuar gjithashtu se as 2 për qind e buxhetit të Kosovës nuk i dedikohet sistemit të drejtësisë.