LAJMET E MBRËMJES

GLPS: Procedurat gjyqësore, sfidë për jetësimin e së drejtës së grave në trashëgimi pronësore

Gratë janë duke u përballur me zvarritje shumëvjeçare të rasteve nëpër gjykata gjatë përpjekjeve të tyre për ta jetësuar të drejtën në trashëgimi pronësore, është thënë të mërkurën në tryezën e organizuar për këtë temë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike. Bazuar në të dhënat e GLPS-së, të nxjerra pas monitorimit të gjashtë gjykatave, ka dalë se në disa raste gratë janë detyruar që të presin deri në katër vjet në mënyrë që paditë e tyre civile të marrin shqyrtim

Zgjatja e procedurave gjyqësore deri në katër vjet është një prej sfidave kryesore me të cilat përballen gratë gjatë realizimit të të drejtave të tyre pronësore, është thënë të mërkurën në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS). 

Në këtë tryezë, në të cilën janë prezantuar gjetjet nga monitorimi i gjashtë gjykatave, menaxherja e projektit në GLPS, Dea Fetiu, ka thënë se gjykatat përballen me mungesë të kapaciteteve njerëzore gjatë trajtimit të rasteve të trashëgimisë dhe të ndarjes së pasurisë pas divorcit të çifteve bashkëshortore.

“Kanë qenë diku 30 raste ku e kemi ditur saktë datën kur është parashtruar padia dhe datën e mbajtjes së seancës së parë, ka dalë që mesatarisht në krejt Kosovën i merr diku katër vjet që gjykata të fillojë të shqyrtojë një padi civile. Ky numër varion shumë prej gjykatës në gjykatë, ka pasur raste sidomos në Gjykatën Themelore të Prishtinës që rastet marrin deri në nëntë vjet për të filluar. Por edhe pasi të fillojnë e shohin një tendencë shumë të madhe që të shtyhen seancat. Ka pasur raste që seancat veçse kanë filluar, edhe është gjetur arsyeja e parë me të cilën kanë mundur ta shtyjnë seancën dhe menjëherë është anuluar”, ka theksuar ajo.

Fetiu ka bërë të ditur se 45 për qind e grave, të cilat kalojnë nëpër procese të ndarjes së trashëgimisë familjare, heqin dorë nga kjo e drejtë si rrjedhojë e presioneve nga familjarët, por edhe vullnetarisht.

“Gratë po heqin dorë nga trashëgimia në bazë të premtimeve që po ua bëjnë familjarët, premtime që mandej nuk po zbatohen, shembull e kemi pasur një rast në Prishtinë, ku një grua është bindur që të heqë dorë nga trashëgimia, sepse vëllezërit e saj i kanë premtuar për një lloj marrëveshje, për një lloj kompensimi dhe ajo e ka tërhequr padinë kundër tyre, por që mandej marrëveshja nuk është zbatuar asnjëherë dhe gruaja ka përfunduar në gjykatë”, ka thënë Fetiu.

E Naim Qelaj, i cili është Avokat i Popullit, ka thënë se përjashtimi i grave nga e drejta për trashëgimi mbi pronën familjare është dukuri ende shumë e pranishme, pavarësisht përpjekjeve për vetëdijesim shoqëror.
“Është problematikë që kërkon analizë dhe zgjidhje. As nuk fillon dhe as nuk përfundon krejt problemi i drejtave pronësore në gjykatë, gjykata është vetëm një hallkë e sistemit dhe duke pasur parasysh statistikat dhe numrin shumë të madh të rasteve gjyqësore, mendoj që bartësit institucionalë dhe ata që bartin përgjegjësi në këtë shtet duhet të mendojnë se ku është problemi dhe a duhet që të presin që çdo të drejtë qytetari i Kosovës ta realizojë në gjykatë, atëherë pse janë autoritetet e tjera”, është shprehur ai.

Në tryezën e GLPS-së u është adresuar gjithashtu thirrje institucioneve për adresimin e këtyre sfidave.