Gjykata Themelore e Pejës edhe në rigjykim i ka shqiptuar dënim të njëjtë prej 7 vjet e 6 muaj burgim Shaban Gogajn, i cili më 2018-n, në lokalin e prindit të tij vrau 29-vjeçarin Agonis Tetaj. Ndonëse Prokuroria e kishte kualifikuar si vrasje të rëndë, gjykata të premten e dha dënimin me cilësimin e veprës si “vrasje nga pakujdesia”. Prindërit e Tetajt kanë shprehur dyshime për ndikime të shumta gjatë procesit
Për vrasjen e të riut Agonis Tetaj, Gjykata Themelore e Pejës të premten e ka dënuar Shaban Gogajn me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim, duke e cilësuar veprën si vrasje nga pakujdesia, ani se nga Prokuroria ishte kualifikuar si vrasje e rëndë.
“Të akuzuarit Shaban Gogaj për ‘vrasje nga pakujdesia’ i cakton dënim me burgim me pesë vjet, për ‘mbajtje në kontroll, posedimi të paautorizuar të armës’ tre vjet. Dënim unik i shqiptohet 7 vjet e gjashtë muaj”, ka thënë gjyqtarja.
Në shtator të vitit 2018, 29-vjeçari Agonis Tetaj, derisa ishte në vendin e punës u qëllua për vdekje nga djali i pronarit të Kompanisë ku punonte ai. Rasti në fillim, nga Prokuroria e Pejës ishte kualifikuar si vrasje e rëndë. Me kërkesë të avokatit të Shaban Gogajt, Besnik Berishës, Apeli e kishte aprovuar kërkesën për përjashtim të Prokurorisë së Pejës nga rasti. Lëndën e kishte marrë prokurori nga Gjilani, Agron Uka, i cili në fjalën përfundimtare e kishte ndërruar kualifikimin ligjor të veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.
Prindërit e Agonisit kanë treguar se çfarë u kishte thënë Uka para se të vepronte kësisoj.
“Agron Uka dilte në fillim në korridor, thoshte është vepër e rëndë, a din në biseda, thoshte është vepër e rëndë, e ka vrarë ai, për diçka e ka vrarë për diçka”, thotë babai i Agonisit, Isuf Tetaj.
Por, ky prokuror ishte përjashtuar nga rasti për shkak se i njëjti ishte fotografuar nga një takim me avokatin Berisha. Ndërsa, që prindërit e Agonisit kishin publikuar një video në të cilën shihej mënyra se si ishte ekzekutuar ai, duke detyruar organet e drejtësisë të caktonin një prokuror tjetër.
Prokurori i ri, Isuf Sadiku e kishte cilësuar veprën sërish si vrasje e rëndë. Veç një muaj më pas, gjyqtarja Violeta Husaj-Rugova e përjashtoi nga rasti avokatin mbrojtës të Gogajt, Besnik Berisha për shkak të prishjes së rendit të gjykatës. E nga atëherë, Gogaj nuk pranonte avokat tjetër që ta përfaqësonte atë. E edhe Oda e Avokatëve kishte marrë vendim që të mos caktohej avokat sipas detyrës zyrtare, duke e bllokuar rastin për 9 muaj. Pas zhvillimit të procesit gjyqësor, gjyqtarja Husaj-Rugova i shpalli Gogajt dënimin me 7 vjet e 6 muaj burgim, meqë e kishte cilësuar veprën si vrasje nga pakujdesia. Vendimi u ankimua nga familja e viktimës në Gjykatë të Apelit e cila e ktheu rastin në rigjykim.
“Kur jemi shkuar në Apel, herën e parë e kemi lutur gjyqtarin mos e ktheni në Pejë se kanë ndikim, mos e ktheni në Pejë se kanë ndikimi edhe nuk na ka dëgjuar e ka kthyer te Violetë Husaj-Rugova”, është shprehur nëna e Tetajt.
Pas fillimit të ri gjyqësor sërish në shkallë të parë, Besnik Berisha sërish u bë avokat i Gogajt.
“Sa për informimin tuaj, avokati Besnik Berisha në shqyrtimin e mëparshëm ka qenë i përjashtuar deri në përfundim të shqyrtimit dhe pas kthimit të çështjes në rigjykim i njëjti vazhdon ta përfaqësoj të pandehurin Sh.G.”, kanë thënë në Gjykatën e Pejës në një përgjigje për KOHËN.
“Ku kemi me besu ne në Drejtësinë e Pejës në Violetë Husaj Rugovën gjyqtaren kur ajo e ka pranuar Besnik Berishën që vetë e ka larguar”, është shprehur nëna e tij.
Të premten gjyqtarja ia shqiptoi sërish dënimin e njëjtë, 7 vjet e 6 muaj burgim.
Avokati i Agonis Tetajt deklaroi se rastin do ta dërgojnë sërish në Gjykatë të Apelit.
E njësoj për ankimim u deklarua edhe avokati i Gogajt i cili e sheh si të lartë dënimin që iu shqiptua atij.
“Nuk ka asnjë dilemë që dënimi është i lartë. Përderisa axha i klientit tim dënohet 2 mijë euro për armëmbajtje pa leje, për përdorim tresekondësh klienti im dënohet me tre vjet burgim”, ka thënë avokati Berisha.
Bashkë me Gogajn është dënuar edhe Isuf Cacaj, për armëmbajtje pa leje me 2 mijë euro gjobë. E akuzat e drejtuara nga familja Tetaj nuk i komentuan as gjyqtarja, as prokurori dhe as avokati i rastit. Në shtator të këtij viti bëhen 6 vjet nga vrasja e Tetajt.