LAJMET E MBRËMJES

Gjykata ia cakton Spasiqit 30 ditë paraburgim

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar 30 ditë paraburgim Sinisha Spasiqit, i dyshuar për krime lufte në rajonin e Vushtrrisë. Dyshimi i Prokurorisë është se ai mori pjesë në masakrën e fshatit Reznik

30 ditë paraburgim ia ka caktuar të martën Gjykata Themelore në Prishtinë, Sinisha Spasiqit, për të cilin Prokuroria Speciale pretendon se mori pjesë në masakrën e Reznikut të Vushtrrisë ku forcat serbe vranë 17 civilë shqiptarë. 

Spasiqi, i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile, u arrestua të dielën në pikën kufitare Merdar e pas ndalimit policor për 48 orë, gjykata vlerësoi se ekziston rreziku që ai t’i shmanget drejtësisë dhe konstatoi se është përmbushur dyshimi i bazuar.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më datë 6.4.1999, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, i pandehuri S. S. me pjesëtarë të tjerë të uniformuar, me uniforma të policisë dhe ushtrisë së Serbisë në fshatin Reznik të Vushtrrisë gjatë një aksioni mirë të organizuar kishin plaçkitur e djegur shtëpi dhe kishin vrarë civilë të paarmatosur dhe atë I. U., M. U. me bashkëshortet, po ashtu B. U., F. U., S. U. dhe F. U., gjatë ditës kritike ishin vrarë edhe T. U. me bashkëshorten H. U.”, thuhet në njoftimin e Themelores në Prishtinë.

Krahas pjesëmarrjes në dëmtim e plaçkitje të pronave të shqiptarëve, siç ka njoftuar Prokuroria Speciale, Sinisha Spasiqi dyshohet edhe për pjesëmarrje në dhunë fizike e seksuale ndaj civilëve gjatë luftës në rajonin e Vushtrrisë.

Sipas Prokurorisë, Spasiqi ka qenë rezervist i mobilizuar në kuadër të forcave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që njihet ndryshe si MUP. 

Dyshimin e Prokurorisë, si dhe vendimin e gjykatës e kundërshtoi avokati Lubomir Pantoviq. 

Mbrojtësi i të dyshuarit Spasiq tha se do të ankohet në Apel ndaj masës së paraburgimit.

“Kërkesa që e ka paraqitur sot prokurori special ju siguroj se nuk i përmbush kushtet bazike për t’ia caktuar paraburgimin, meqë nuk është vërtetuar, nuk është dëshmuar, dyshimi i bazuar që z. Spasiq ka marrë pjesë në këto ngjarje e ky është kushti themelor që dikujt t’i caktohet paraburgimi. Do të parashtroj ankesë. Kjo është e vetmja që e ka në dorë mbrojtësi në këtë fazë”, ka thënë avokati Pantoviq.

Themelorja vlerësoi se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal. Gjykata në Prishtinë ka theksuar po ashtu se “nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se është shtetas i Serbisë, andaj ka gjasa reale se mund të arratiset”, në mënyrë që t’i shmanget procedurës penale.