Sipas një ankete të Institutit GAP del që gati 30 për qind e popullsisë e kanë në plan të largohen nga Kosova pas liberalizimit të vizave. Destinacioni më i preferuar është Gjermania e sektorët më të kërcënuar nga ikja e punëtorëve janë ndërtimtaria, gastronomia e tregtia
Veç në pjesën e parë të vitit, 28 për qind e popullsisë mbi 18-vjeçare planifikojnë të ikin nga Kosova tash pas liberalizimit të vizave, ka treguar një anketë e Institutit GAP.
Destinacionet më të preferuara, sipas anketës, janë Gjermania, Zvicra dhe Austria.
Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP, ka thënë se krahas liberalizimit të vizave edhe kërkesa e shtuar nga Bashkimi Evropian për fuqi punëtore do të ketë ndikim shtesë në largimin e qytetarëve nga Kosova.
“Një arsye tjetër pse tani është 28 për qind dhe jo 40 për qind, siç ka qenë në të kaluarën, është edhe fakti se tani 338 mijë qytetarë veçse kanë emigruar. Edhe pse nuk pritet që në vitin e parë të arrihet ky efekt që 28 për qind të qytetarëve të migrojnë gjatë vitit 2024, çfarë ky rezultat tregon është që ekziston një tendencë për prirje të qytetarëve që të emigrojnë”, ka thënë Hasaj.
Anisa Zogaj, hulumtuese në këtë Institut, ka theksuar sektorët që do të mund të atakohen më së shumti nga emigrimi.
“Janë kryesisht punëtorët e ndërtimtarisë, gastronomisë, hotelerisë, turizmit tregtisë dhe prodhimit. Në anën tjetër, ata që punojnë në sektorin e shëndetësisë dhe të arsimit nuk e kanë shifrën e lartë të tendencës për të emigruar”, ka bërë të ditur ajo.
Arsyet kryesore për emigrimin potencial të qytetarëve, sipas anketës, vlerësohen të jenë kushtet ekonomike. Hulumtimi ka treguar se mbi 20 për qind e atyre që duan të largohen kanë realizuar të hyra nga 300 deri në 450 euro në muaj.
“Gjithsej 28.2 për qind të qytetarëve cilësuan mundësitë më të mira për punësim si arsyeja kryesore e cila i shtyn ata ta planifikojnë emigrimin pas liberalizimit të vizave, ndjekur me përmirësimin e cilësisë së jetesës për veten dhe familjen (arsimi, shëndetësia, siguria etj.) me 26.3 për qind pagat më të larta, me 22.4 për qind zhvillimi në karrierë, me 14.1 për qind krijimi i familjes apo bashkimi familjar me 9 për qind”, thuhet në raport.
Demografi Sami Behrami ka shprehur bindjen se liberalizimi i vizave do ta lehtësojë në masë të madhe largimin e të rinjve nga Kosova, për çka ka theksuar se do të ketë pasoja sociale e ekonomike.
“Kroacia, Bosnja, Rumania, Bullgaria e kanë dyfishuar numrin e emigrantëve në periudhën kur është bërë liberalizimi i vizave, prandaj një trend i tillë mund të pritet edhe për Kosovën e cila do ta vështirësojë edhe më shumë zhvillimin demografik, social dhe ekonomik të Kosovës, meqenëse këta njerëz që emigrojnë përbëjnë kryesisht të rinjtë që janë bartës të të gjitha zhvillimeve në Kosovë”, ka thënë Behrami.
Sipas të dhënave të GAP-it, vetëm gjatë vitit 2022 nga Kosova janë larguar mbi 41 mijë qytetarë.
Raporti ka treguar që nëse nuk ka aktivizim të fuqisë punëtore joaktive, zëvendësimi i fuqisë punëtorë nga vendet e huaja, si Bangladeshi, Turqia, Nepali, do të jetë i pamjaftueshëm. Megjithëkëtë është vlerësuar se moszëvendësimi i punonjësve që kanë emigruar mund të ketë ndikim në rritje më të theksuar të pagave.