Armatimi dhe pajisjet më të fundit të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë prezantuar të enjten në kazermën “Adem Jashari”, me rastin e shënimit të Ditën së Forcës. Specifikat e tyre iu përshkruan udhëheqësve të shtetit, qytetarëve dhe nxënësve nga komuna të ndryshme që qëndruan në kazermë për vizitë. E liderë shtetërorë e kualifikuan FSK-në si pasardhëse të denjë të UÇK-së e që e bëri Kosovën krenare në çdo angazhim si brenda ashtu edhe jashtë vendit
“5.56 milimetra, 7:62, 12.7 edhe atje është i vendosur një granatahedhës 40 milimetra”, janë specifikacionet nëpërmjet të cilave një ushtar ua ka përshkruar udhëheqësve shtetërorë armatimet që Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) i ka ekspozuar për publikun të enjten, me rastin e shënimit të Ditës së Forcës.
Këto armë dhe pajisje të tjera ushtarake që i ka në posedim, FSK-ja i ka ekspozuar në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë dhe ato, krahas liderëve të shtetit, kanë mundur t’i shihnin edhe qytetarë të tjerë. Mes tyre edhe nxënës të shkollave fillore dhe fëmijë të kopshteve, një numër i të cilëve për këtë vizitë të organizuar në kazermën e FSK-së kanë bartur uniforma ushtarake dhe kanë kënduar edhe këngë për heronj të luftës.
Osman Hoxha, një nga mësimdhënësit që e ka prirë në këtë vizitë një grup nxënësish nga Malisheva, ka theksuar se njohja me armët dhe me pajisjet e FSK-së do t’u shërbejë filloristëve si mësim se përse duhet dashur shtetin.
“Jam këtu me nxënës të klasës së nëntë që ta shohim ambientin e FSK-së se si duket, sepse për herë të parë vijmë këtu, nuk kemi qenë asnjëherë. Për këtë arsye kemi ardhur, për të mësuar se si duket, si shihet, çka ka e tek ka dhe edhe që fëmijët ta shohin afërsinë me ushtrinë”, është shprehur ai.
Për ta nderuar ushtrinë dhe për ta parë nga afër armatimin e FSK-së, Njazi Zuka ka bërë dhjetëra kilometra rrugë nga Vitia për në Prishtinë.
“Kemi ardhur për vizitë megjithëse e kemi edhe djalin këtu në shërbim të kombit dhe të shtetit. Mirë, mirë, zakonisht një shtet pa ushtri nuk ekziston. Mirëpo po shihet edhe madhështia e ushtrisë dhe e popullit, e përkrahjes”, është shprehur Zuka teksa i vrojton me vëmendje pajisjet e ekspozuara.
E ato që i ka parë qytetari nga Podujeva, Ilaz Hoti, theksoi se e kanë emocionuar shumë.
“Edhe zemra, edhe jeta frymon më gjerë kur i sheh njerëzit duke folur shqip, njerëzit tanë, ushtrinë tonë. Sepse kemi vuajtur shumë, u deshën shumë gjak dhe shumë sakrifica që të vijmë deri këtu”, tha ai.
Krenar me ushtrinë është shprehur edhe Sahit Zogiani, i cili jeton në Helsinki të Finlandës, porse e shfrytëzoi vizitën në Kosovë për t’i parë nga afër ushtarët dhe pajisjet ushtarake të Kosovës.
“Për herë të parë vij dhe e shoh Ushtrinë e Kosovës. I shoh këta çuna dhe këto goca të vogla që kanë ardhur e që janë ushtria e ardhme e Kosovës. Është një kënaqësi shumë e madhe. Sinqerisht kam shumë emocione kur për herë të parë jam këtu në mesin e ushtrisë së Kosovës, kjo është krenaria jonë”, është shprehur Zogiani.
E, pasi që i vizituan të gjitha tendat në të cilat janë ekspozuar armët dhe janë njoftuar mbi specifikat e secilës veç e veç, udhëheqës shtetërorë i uruan qytetarët për Ditën e Forcës tek theksuan se që nga themelimi e gjer në këtë ditë FSK-ja është rritur në vazhdimësi.
“Është ditë krenarie, sepse ushtria jonë e sotme është pasardhëse e denjë dhe krenare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e djemve dhe vajzave që i vunë themelet e lirisë sonë dhe këta djem e vajza që i shihni sot na bëjnë krenarë jo vetëm brenda vendit, por edhe kudo që ata shërbejnë, në akademi, nëpër vendet e ndryshme të botës ku studiojnë në shtete aleate”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani.
Ajo ka bërë zotimin për angazhim që ushtria të bëhet më e fortë për ta mbrojtur shtetin e bërë me shumë sakrificë.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e kualifikoi FSK-në si institucionin që e gëzon mbështetjen dhe besimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Jemi jashtëzakonisht krenarë që FSK-ja mbetet institucioni më i besueshëm në vend dhe kjo për shkak të një pune të shkëlqyeshme dhe përkushtimit të tyre për sigurinë e vendit tonë dhe gjithashtu një përkushtimi të ndërsjellë të shtetit të Kosovës”, ka theksuar ai.
E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se brezat e rinj janë gjithnjë e më të sigurt falë ushtrisë së Kosovës, teksa e ka përmendur sakrificën e dëshmorëve të luftës, duke nisur nga kryekomandanti Adem Jashari.
“Është ditë e lumtur, e gëzuar për të gjithë ne, për shkak se me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me këtë ushtri të pajisur kaq mirë e gjithnjë e më shumë, brezat e rinj do të jenë të sigurt të jetojnë në paqe, të zhvillohen dhe të lulëzojnë. Në njërën anë e kemi sakrificën e dëshmorëve të kombit, mbi të gjitha kryekomandantin Adem Jashari dhe familjen Jashari, pastaj veteranët dhe invalidët e UÇK-së, e në anën tjetër i kemi gjithë këta fëmijë që kanë ardhur ta shohin ushtrinë e tyre që njëherësh ua ngroh zemrat dhe i bën të ndihen mirë për të ardhmen e tyre dhe për mbarë qytetarët dhe familjet në Kosovë”, ka thënë ai.
Kurti ka numëruar edhe investimet që janë bërë në fushën e mbrojtjes.
“Mbi 430 milionë euro është investimi në armatim dhe pajisje në këta katër vjetët e fundit. Më përpara ushtria jonë ka pasur vetëm automatik të llojit ‘heckler koch’ dhe ‘revolve’, që do të thotë ka qenë më pak e pajisur se Policia e Kosovës. Ndërkaq tani është e pajisur me teknologji moderne dhe sa vjen e shtohet, meqenëse tash kemi dyfishim të çizmeve në tokë të ushtarëve tanë dhe gjithashtu të syve në qiell për shkak se e kemi pajisur ushtrinë me dronë e do ta kemi së shpejti edhe fabrikën e municionit dhe prodhimit të dronëve ‘Made in Kosova’”, është shprehur ai.
Forca e Sigurisë e Kosovës mandatin ushtarak e ka marrë në vitin 2018. Që atëherë në të janë rritur numri i ushtarëve si dhe kapacitetet mbrojtëse. FSK-ja është ushtri që aspiron anëtarësimin në Aleancën Veriatlantike të NATO-s.