LAJMET E MBRËMJES

Fëmijët shënojnë Ditën e tyre me kërkesa për institucionet

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, letra me kërkesa e mesazhe të tyre janë vendosur para institucioneve shtetërore. Sipas Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, ky aktivitet ka ati për qëllim ngritjen e zërit mbi sfidat që përballen fëmijët. E presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar rritje të përkushtimit ndaj plotësimit të të drejtave dhe nevojave të fëmijëve

Mesazhe, kërkesa e dëshira të shkruara në letër, fëmijë të shumtë i vendosën të dielën në hyrje të objektit të Qeverisë e Kuvendit, duke shënuar kështu Ditën Ndërkombëtare të tyre.

Përmes këtij aktiviteti të Koalicionit të Organizatave joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, mesazhe të fëmijëve u lanë edhe përpara Komunës, Qendrave të Mjekësisë Familjare, Qendrave për Punë Sociale, shkollave, Policisë e institucioneve të tjera.

Drejtoresha ekzekutive e KOMF-it, Donjeta Kelmendi, ka thënë se qëllimi kryesor i këtij aksioni është shpërfaqja e sfidave me të cilat ballafaqohen fëmijët.

“Letrat, të cilat janë shkruar nga fëmijët, do të paraqiten aty, në mënyrë që edhe vendimmarrësit edhe profesionistët, por edhe qytetarët do të mund të shohin se cilat janë kërkesat, brengat apo pikëpamjet e fëmijëve në Kosovë”, ka thënë Kelmendi.

Sipas Kelmendit, fëmijët me nevoja të veçanta vazhdojnë të përballen më vështirësi të theksuara në shoqëri.

“Fëmijët me Down sindrome në përditshmërinë e tyre hasin në sfida të shumta, si qasja në sistemin arsimor, mungesa e shërbimeve profesionale, mungesa e shërbimeve multidisiplinare, të cilat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e potencialit të tyre të plotë”, ka theksuar ajo.

Presidentja Vjosa Osmani, ndërkohë ka kërkuar rritje të përkushtimit ndaj plotësimit të të drejtave dhe nevojave të fëmijëve.

“Mbrojtja e fëmijëve nuk është vetëm një detyrim moral dhe ligjor, por është themeli i paqes së qëndrueshme dhe i zhvillimit të qëndrueshëm. Prandaj, le t’i japim secilit fëmijë atë që e meriton, dashuri, vëmendje, mbrojtje dhe mundësi”, ka thënë presidentja Osmani.

Në KOMF kanë shprehur n shqetësimin për të drejtat e fëmijëve në Kosovë, për çka është kërkuar reforma urgjente.

Sipas këtij koalicioni, 72% e fëmijëve në Kosovë përjetojnë forma të dhunshme të disiplinimit në familje, ndërsa rreth 600 fëmijë janë pa përkujdesje prindërore.

Pesë për qind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë të rënda. 

Në KOMF, po ashtu, kanë kërkuar që të nisë zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, pasi sipas anëtarëve të këtij koalicioni, edhe pse ka hyrë në fuqi në vitin 2020, ende nuk ka gjetur zbatim plotësisht.