Bashkimi Evropian pret nga Kosova dhe Serbia që të arrijnë një kompromis deri në prillin e këtij vit kur planifikohet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore, ka thënë ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, në një intervistë për KOHËN.
Diplomatja sllovene ka treguar se nga takimet me liderët e shtetit, ka marrë zotimin për gatishmërinë që bisedimet të nisin sa më shpejt mbi bazën e propozimit franko-gjerman, por edhe të zbatohen marrëveshjet nga dialogu i kaluar.
“E përsërita se është shumë me rëndësi që të mos kemi përshkallëzime të mëtejme të tensioneve, është shumë me rëndësi për ne dhe tërë komunitetin evropian të shohim se të dyja palët janë me të vërtetë të angazhuara në gjetjen e kompromisit, para zgjedhjeve lokale të prillit. Është shumë e rëndësishme të bëhet gjithçka për normalizimin e situatës dhe dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë. Duhet të vazhdojë dialogu dhe të gjitha marrëveshjet duhet të përmbushen, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, tha Fajon.
E pyetur rreth dokumenteve jozyrtare që flasin për ndarje e shkëmbim territoresh, të cilat në të kaluarën janë publikuar edhe në Slloveni, Fajon ka thënë se diskutimet e tilla janë të rrezikshme dhe kundër vlerave evropiane.
“Ne jemi mbështetës të mëdhenj, keni miq të mëdhenj në Slloveni dhe sa herë ka diskutime për ndryshim kufijsh ose ndryshim të historisë, është diçka shumë, shumë e rrezikshme. Kështu që, përkundrazi, do të këshilloja që të lëvizet më shpejt drejt reformave. Bashkimi Evropian është e ardhmja jonë e përbashkët dhe ai mund t’i zgjidhë shumë çështje të hapura në Ballkan”, tha Fajon.
Fajon po ashtu ka ofruar mbështetjen e Sllovenisë në kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkim Evropian.