LAJMET E MBRËMJES

Ekspertët mbrojnë raportin ku thuhet se Murseli e Plava s’kanë çrregullime mendore

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt më 2023. Në seancën e së hënës dy ekspertë mjekësorë kanë arsyetuar raportin, ku thuhet se të akuzuarit Naim Murseli dhe Granit Plava nuk kanë asnjë çrregullim mendor

Raporti psikiatrik për Naim Murselin, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes Liridona Ademaj, i përgatitur dy muaj më parë, është nxjerrë të hënën për diskutim në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ish–drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri, para trupit gjykues ka thënë se Murseli nuk vuan nga ndonjë çrregullim mendor.

Po ashtu, ai ka thënë se nuk i është ofruar ndonjë dëshmi.

“Deri më tani nuk është shfaqur asnjë element i ndonjë çrregullimi, shqetësimi dhe nuk na është ofruar asnjë dokument që do të vërtetojë këtë çrregullim, apo ndonjë problem nga fusha e shëndetit mendor”, ka thënë ai.

Sipas Haxhibeqirit, është nxjerrë përfundimi se i akuzuari Murseli gëzon shëndet të mirë mendor edhe në bazë të bisedave me të, vrojtimit të të folurit dhe të shprehurit e tij.

E vetë Murseli është ankuar se raporti i ekzaminimit psikiatrik është publikuar në media para se të diskutohej në gjykatë.

“Në media kanë qarkulluar gjithfarë tituj që ekzaminimi thotë se Naim Murseli ka qenë në gjendje të aftë kur e ka kryer vrasjen. A e kam pranuar ndonjëherë veprën të cilën prokuroria pretendon se e kam bërë”, ka thënë ai.

E në vërejtjet e të akuzuarit, mjeku Haxhibeqiri ka dhënë shpjegimet e tij për trupin gjykues.

“Dua të informoj trupin gjykues dhe opinionin publik që ne nuk e kemi shpërndarë raportin, pasi që aty ka të dhëna shumë sensitive të jetës dhe të zhvillimit psiko-social të klientit N.M. në asnjë moment dhe asnjë rresht të ekspertizës sonë nuk është deklaruar kjo që e cek z. Murseli”, ka theksuar Haxhibeqiri.

Ekzaminimi psikiatrik i është bërë Murselit dhe të akuzuarit tjetër Granit Plava, me kërkesë të mbrojtjes së tyre dhe me arsyetimin se kanë shfaqur gjendje psikiatrike të paqëndrueshme.

Edhe i pandehuri Plava, sipas neuropsikiatrit Bujar Obërtinca, nuk vuan nga ndonjë çrregullim mendor.

“Gjatë vlerësimit psikiatrik, i ekzaminuari im ka deklaruar se është përdorues i substancave narkotike, si kokaina, alkooli por në kohën e ekzaminimit nuk ka pasur simptoma abstinenciale apo ndërprerjes së abuzimit me substanca, ndërsa sa i përket traumës, i njëjti nuk është identifikuar një fenomen i tillë”, ka thënë Obërtinca.

Për rezultatet e ekzaminimit, pati raportuar KOHA kohë më parë.

“Tek i ekzaminuari Naim Murseli nuk është konstatuar ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore e karakterit të përkohshëm apo përhershëm”, thuhet në raport.

Tutje thuhet se nuk është konstatuar ndonjë përmbajtje, ngecje mendore apo abuzim më substanca psiko-aktive ose alkool. 

Në konstatimet e raportit përmendet se Murseli “është plotësisht i përgjegjshëm dhe i llogaritshëm”.

“Mund të marrë pjesë në seancën gjyqësore, është i aftë për të mbrojtur veten, të konsultohet me persona të tjerë duke përfshirë mbrojtësit, kupton akuzën dhe është në gjendje të përballet me gjykimin”, thuhet në raport. 

Në dokumentin e siguruar nga KOHA, përshkruhet edhe statusi psikik i Murselit. Aty përmendet se ai është i vetëdijshëm, i orientuar në kohë dhe hapësirë dhe se pamja e jashtme i përgjigjet moshës së tij. 

“I qetë në aspektin psiko-motor. Bashkëpunues, i përgjigjet thirrjes për bisedë. Kontakti me sy vihet dhe mbahet. Kontakti verbal vihet dhe mbahet pa insistim. Rrjedha e të folurit normale pa ndryshime në të folur. Flet qartë dhe i përshkruan të gjitha ngjarjet në detaje. Nuk mungon spontaniteti”, thuhet në dokument. 

Ndërkohë në seancën e së hënës, me kërkesë të palës së dëmtuar, Prokuroria ka hequr dorë nga dëgjimi i dëshmive të nënës, babait dhe motrës së të ndjerës Liridona Ademaj.

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt, në nëntor të vitit 2023.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, por edhe në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor, Murseli është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për të përfituar financiarisht nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro. Sipas prokurorisë, vrasjen ai e ka planifikuar së bashku me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve ua ka premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për kryerjen e krimit.

Liridona Ademaj është vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht ishte raportuar se bëhet fjalë për vrasje si pasojë e grabitjes, e më pas Prokuroria bëri të ditur se gjithçka ishte inskenim.