LAJMET E MBRËMJES

Dyshimi për spiunazh, Jevtiq ia mundësoi BIA-s serbe qasjen në kompjuter zyrtar

Togeri serb, Bojan Jevtiq, i cili u arrestua një ditë më parë, dyshohet se ia mundësoi Agjencisë së Serbisë për Inteligjencë qasjen në kompjuterin zyrtar të Policisë së Kosovës. Atij iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji. Gjykata e arsyetoi vendimin, duke konstatuar se nëse lihet i lirë mund të arratiset e të mos jetë më i qasshëm për organet e drejtësisë.

30 ditë paraburgim i janë caktuar togerit Bojan Jevtiq, i cili u arrestua një ditë më parë nën dyshimin për spiunazh.

Gjyqtari i procedurës paraprake e arsyetoi vendimin, pasi vlerësoi se Jevtiq do të mund të arratisej me lehtësi nëse do të lihej i lirë.

“Nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, mund t’i shmanget procedurës penale dhe se i njëjti do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, duke qenë se i njëjti dyshohet për vepër penale të një rrezikshmërie shumë të lartë, përkatësisht për vepër penale spiunazhi, si dhe duke marrë për bazë faktin se i njëjti e cenon sigurinë kombëtare, jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim, të cilën e ka siguruar KOHA, thuhet se Jevtiq dyshohet se një zyrtarit të Shërbimit të Inteligjencës së Serbisë ia ka mundësuar qasjen në kompjuterin zyrtar, duke i rrezikuar policët, sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Prokurori special, Bekim Kodraliu, tha se janë siguruar prova të mjaftueshme për ta vërtetuar dyshimin se Jevtiq e ka kryer veprën për të cilën dyshohet.

“Janë sekuestruar dokumente konfidenciale të lëshuara nga Policia e Kosovës, që kanë të bëjnë me sigurinë dhe rendin juridik të qytetarëve. Kemi gjetur edhe një armë të shkurtër pa autorizim, sasi të municionit, monedha që dyshojmë se ai i ka përfituar, duke kryer veprat për të cilat dyshohet. Janë 2 milionë dinarë serbë, 10 mijë euro, 600 franga që i pandehuri nuk ka mundur t’i justifikojë”, tha ai.
Në kërkesë të Prokurorisë përmenden edhe raportet e AKI-së dhe dëshmitë e zyrtarëve të BIA-s serbe me të cilët Jevtiq ka komunikuar.

E Millosh Nikolliq, i cili është avokat i togerit serb të arrestuar, tregoi se gjatë seancës nuk u aprovua kërkesa që klienti i tij të mbrohet në liri.

“Ai do të jetë i qasshëm për organet deri në përfundim të procedurës se do t’i përgjigjet çdo thirrjeje. Dhe në këtë qëllim e kemi ofruar masën e garancisë në shumën prej 15.000 eurosh”, theksoi ai.
E Lubisha Jevtiq, i cili është vëlla i të dyshuarit, i mohoi akuzat dhe tha për të se e ka kryer punën me ndershmëri.

“Është burgosur pa bazë. Është njeri i ndershëm, e ka kryer punën ndershëm. Është baba i tre fëmijëve të cilët i ka mbajtur me këtë pagë”, deklaroi ai.

Bojan Jevtiq është arrestuar të enjten, pas aksionit që e ka bërë Prokuroria Speciale në koordinim me AKI-në dhe Inspektoratin Policor.

Jevtiqi e mbante pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikëkalimin që ndodhet në rajonin e Gjilanit.