Prokuroria Speciale pretendon se në kohën sa mbanin pozita drejtuese në Komunën e Mitrovicës së Jugut, ata shtynë përpara në Kuvend Komunal këmbimin e një prone, duke e dëmtuar kështu buxhetin komunal me 125.000 euro. Kryeshefi aktual i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, akuzohet edhe për mosdeklarim të pasurisë
Faruk Mujka, kryeshef i ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci” dhe Hysen Muzliukaj, drejtor ekzekutiv i Institutit për Administratë Publike janë deklaruar të pafajshëm, të hënën para Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me akuzat për korrupsion.
Prokuroria Speciale pretendon se ata i shkaktuan dëm shtetit mbi 100.000 euro me këmbimin e një prone në kohën kur Mujka ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, e Muzliukaj drejtor i Gjeodezisë.
Megjithatë, ata nuk i kanë pranuar akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Dy të akuzuarit, sipas prokurorisë, kanë çuar në Kuvend Komunal propozimin për këmbim të pronës, e që nuk ishte e Komunës, por e Agjencisë së Kosovës për Privatizim, duke e dëmtuar kështu buxhetin publik.
“I kanë paraqitur Kuvendit të Komunës së Mitrovicës propozim-vendimin për këmbimin e pronës së paluajtshme, pjesën e njësisë kadastrale lokal afarist 0712080720141301850 në sipërfaqe prej 139 metrave katrorë nga sipërfaqja e përgjithshme e objektit prej 631 metra katrorë me lokacion në rrugën Afrim Zhitia në Mitrovicë, ndërtesa administrative e ish-Bankosit në Mitrovicë të cilën e kishin paraqitur kinse pronë të Komunës të Mitrovicës së Jugut... me ç’rast të pandehurit i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm AKP-së në vlerën e objektit të tjetërsuar që i bie të jetë 125.100”, ka thënë prokurorja speciale, Iliriana Tafa-Çollaku.
Prokurorja Çollaku-Tafa, tek ka lexuar aktakuzën ka thënë se kryeshefi aktual i “Ibër-Lepencit” akuzohet edhe për mosdeklarim të pasurisë.
“Nga një datë e pavërtetuar deri më datë 15.7.2023 në shtëpinë e tij ka poseduar shumën prej 60.050 eurosh, shumë kjo e gjetur dhe e sekuestruar në kuadër të urdhërkontrollit të gjykatës në shtëpinë e tij në Mitrovicë”, ka thënë prokurorja Tafa-Çollaku.
Të akuzuarit kanë 30 ditë kohë për ankesë ndaj aktakuzës dhe provave.
Mujka ishte kryetar i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, kurse Muzliukaj garoi për asamblist më 2021, si pjesë e listës së kësaj partie.