LAJMET E MBRËMJES

Dy të arrestuar për tenderin 400 mijë eurosh në “Eko-Regjion”, bastiset edhe shtëpia e kryeshefit

Dy persona janë arrestuar në aksionin e Prokurorisë Speciale të Kosovës lidhur me dyshimin për keqpërdorim në tenderin afro 400 mijë euro të ndërmarrjes “Ekoregjioni” në Prizren. Në kuadër të aksionit është bastisur edhe shtëpia e kryeshefit Burim Shala, i cili ndodhet në Itali. Autoritetet kanë sekuestruar prova, përfshirë armë dhe para të gatshme

Dy persona janë arrestuar në aksionin e Prokurorisë Speciale të Kosovës të realizuar në ndërmarrjen “Eko-Regjioni” në Prizren dhe në një kompani private. 

Të arrestuarit dyshohen për keqpërdorim në tenderin për blerjen e 5 kamionëve dhe të një autofshese në vlerë afro 400 mijë euro. Nën llupën e Prokurorisë është edhe kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Burim Shala, shtëpia e së cilit është bastisur gjatë së hënës. Këtë e ka konfirmuar prokurori i rastit, Halim Borovci.

Arrestimi i shefit të njësisë “Ekoregjioni” në Prizren, Arbër Gashi dhe të R.Z. nga kompania “Dielli” që ka shitur kamionët, është konfirmuar nga Prokuroria Speciale.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të hënën në mëngjes janë arrestuar A.G dhe R.Z.  A.G dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa R.Z për “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në prokurimin publik”. Urdhër kontrolli është realizuar si një hap i rëndësishëm procedural, në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar lidhur me dyshimet për një aktivitet të tenderimit”, thuhet nga Prokuroria Speciale. 

Hetuesit policorë kanë kryer bastisje në disa lokacione në Prizren dhe në Ferizaj, përfshirë ambientet e ndërmarrjes publike “Eko Regjioni” si dhe të një subjekti privat.

Gjatë bastisjes, në mesin e provave janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike AK-47 si dhe para të gatshme.

KOHA ka kontaktuar me kryeshefin e ndërmarrjes, Burim Shala, por ai ka thënë që t’i referohemi reagimit zyrtar të kompanisë.

E në reagimin e kompanisë thuhet se kryeshefi që nga e shtuna ndodhet në Itali, duke hedhur poshtë pretendimet se ai ndodhet në arrati.

“Kryeshefi Ekzekutiv, z. Burim Shala, që nga dita e shtunë ndodhet në Itali, për arsye striktësisht familjare, dhe kjo vizitë nuk ka asnjë lidhje me çfarëdo pretendimi për arrati apo shmangie nga përgjegjësia. Ai prej disa ditësh ndodhet jashtë Kosovës dhe kjo është e ditur edhe më herët. Njëkohësisht, ju njoftojmë se Kryeshefi Ekzekutiv, Burim Shala brenda kësaj jave pritet të kthehet në Kosovë, dhe në asnjë rrethanë nuk i shmanget përgjegjësisë apo drejtësisë”, u tha në reagimin e kompanisë. 

Në këtë ndërmarrje kanë thënë se besojnë në organet e drejtësisë, të cilat siç thuhet, po kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale, të pavarur dhe në përputhje me Ligjin.