LAJMET E MBRËMJES

Dy të akuzuarit e rastit “Banjska” nuk deklarohen mbi fajësinë

Nën drejtimin e një gjyqtari të ri është zhvilluar seanca ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë, dy nga të cilët refuzuan të deklarohen mbi fajësinë e njëri nga ta i mohoi akuzat. Debati kryesor u zhvillua për dëshmitarët

Asnjëri nga tre serbët e arrestuar gjatë sulmit në Banjskë, e të cilët gjykohen për terrorizëm, nuk e kanë pranuar fajësinë. Pas avancimit të gjyqtarit Arben Hoti, procesi gjyqësor nga e premtja drejtohet nga kryetari i Themelores në Prishtinë, Ngadhënjim Arrni. Shkaku i procedurës, ai kërkoi edhe një herë deklarimin e të akuzuarve, por dy nga ta refuzuan ta bënin këtë.

“Siç kam deklaruar, për momentin nuk dëshiroj të deklarohem”, ka thënë i akuzuari Blagoje Spasojeviq.

Njëjtë është përgjigjur edhe i akuzuari Vladimir Toliq.

E, i akuzuari Dushan Maksimoviq tha se nuk është fajtor.

“Nuk jam fajtor për veprat që më vihen barrë për këtë aktakuzë”, ka deklaruar Maksimoviq.

Pasi ky gjyqtar mori konfirmimin se palët qëndrojnë prapa fjalëve hyrëse, në seancë u shtrua edhe kërkesa nga avokati i të akuzuarit Toliq, që aktakuza të ndryshohet, meqë është e ndarë nga të akuzuarit në mungesë.

“Unë e thërras Prokurorinë Speciale që ta ndryshojë këtë aktakuzë sepse konsideroj se nuk është më adekuate për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor dhe të akuzuarit Vladimir Toliq për veprimet konkrete, sepse këtu nuk gjykohet Radoiçiq, por Bllagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq e Dushan Maksimoviq”, ka thënë avokati Millosh Deleviq.

Në seancën gjyqësore, debati kryesor u zhvillua rreth dëshmitarëve, përfshirë një që ndodhet në Maqedoni të Veriut.

“Ne kemi mbetur, siç e dini edhe nga seancat e kaluara, që ta dëgjojmë dëshmitarin Goran Danjevski, por që deri në këto momente nuk kemi arritur ta sigurojmë. Megjithatë për aq sa zgjat kjo procedurë, para se ne të vazhdojmë me provat materiale, gjykata do të bëjë çdo përpjekje në koordinim me autoritetet maqedonase ta kemi në videolidhje”, ka theksuar gjyqtari Ngadhënjim Arrni.  

Gjykata ka refuzuar edhe propozimet e mbrojtjes për dëgjimin e 9 dëshmitarëve të propozuar nga avokatja Jovana Filipoviq, që e mbron të akuzuarin Maksimoviq. Sipas saj, pretendimet e Prokurorisë Speciale nuk tregojnë se ky i akuzuar ka pasur rol të drejtpërdrejtë gjatë datave kritike.

Për sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë, procesi gjyqësor është ndaj rreth 40 të akuzuarve që ndodhen në Serbi, përfshirë Milan Radoiçiqin. Të akuzuarit ngarkohen se nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë kanë tentuar që ta shkëpusin pjesën veriore të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, dhe që atë t’ia bashkojnë Serbisë, me ç’rast, si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor, Afrim Bunjaku, dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë, si dhe e popullatës civile.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi, në të cilin, pos policit Bunjaku, janë vrarë edhe tre sulmues serbë, ndërsa pjesa tjetër e tyre është larguar në drejtim të Serbisë, pasi paraprakisht është strehuar për disa orë në Manastirin e Banjskës.

Autoritetet serbe nuk kanë dhënë shenja deri tash për dorëzimin e tyre.