Në seancën e shqyrtimit fillestar, dy nga gjashtë serbët e akuzuar për sulm ndaj policëve e doganierëve kanë pranuar fajësinë. Ata akuzohen se 4 vjet më parë kanë sulmuar zyrtarët e shtetit që po e zhvillonin një aksion antikontrabandë në Mitrovicë të Veriut
Dy prej gjashtë serbëve të akuzuar për sulmin ndaj zyrtarëve të Policisë dhe atyre të Doganës, në fund të vitit 2021, kanë pranuar fajësinë.
Sipas aktakuzës së ngritur në shtator të këëtij viti, gjatë aksionit antikontrabandë në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët shtetërorë nga të akuzuarit janë goditur me gurë, shufra druri e metali, si dhe janë sulmuar me granata dore.
Të ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Nenad Milkoviq e Aleksandar Llaziq pranuan akuzën, të martën.
“Duke pasë parasysh që është hera e parë qe jam para Gjykatës dhe asnjëherë nuk kam pasë këso lloj situate, më vjen keq për situatën e cila ka ndodhur dhe nuk do të përsëritet më asnjëherë. Po (e ndjen vetën fajtor v.j.)”, ka thënë Nenad Miljkoviq.
I akuzuari tjetër Aleksandër Llaziq, ishte shumë më i shkurtër, duke thënë vetëm “Po” në pyetjen se a ndihet fajtor.
Sikur këta dy, për veprat penale “Pjesëmarrje në turmë” dhe “Huliganizëm”, akuzohen edhe Sreqko Sofronijeviq, Ilija Viqentijeviq, Millan Viqentijeviq dhe Marko Rakiq.
Që të katër, nuk pranuan fajësinë.
Sipas prokurorisë, të gjashtë të akuzuarit ua kanë zënë pritën Policisë duke vendosur barrikada, ndërsa mjetet e blinduara të Policisë janë goditur me plumba nga të shtënat me armë zjarri dhe me granata dore. Për pasojë, tre policë janë plagosur.
Avokatët Haxhi Millaku e Jelena Krikokapiq, që përfaqësojnë dy serbët të cilët e kanë pranuar fajësinë, kanë thënë se pranimi është bërë me vullnet të lirë dhe kanë kërkuar që dënimi i mundshëm me burgim t’u zëvendësohet me gjobë.
Pranimin e fajësisë të të akuzuarve e ka pranuar edhe prokurorja Arbëresha Shala.
“Bashkëngjitem që rrethanën e pranimit të fajësisë, Gjykata ta marrë si rrethanë lehtësuese, me rastin e shpalljes të së pandehurve fajtor dhe me caktimin e sanksionit penal për të pandehurit”, ka thënë Shala.
Pasi ka aprovuar pranimin e fajësisë të të dy të akuzuarve, gjyqtari Vesel Ismaili ka veçuar procedurën penale për dy të akuzuarit.
“T tani e tutje do të zhvillohet procedura penale ndaras. Kurse shpallja ndaj dy të akuzuarve të tjerë, do të mbahet më 22 tetor”, ka deklaruar Ismaili.
Paraprakisht në nisje të seancës, avokati i të akuzuarit, Ilija Viqentijeviq, ka kërkuar që të shtyhet shqyrtimi fillestar, pasi sipas tij, nuk i ka pranuar shkresat e lëndës, përveç aktakuzës.
E prokurorja Shala ka thënë se e ka shpërndarë njoftimin për shkresa te të gjithë mbrojtësit, por që asnjëri nuk është lajmëruar.