Dëshmitari John Duncan ka deklaruar në Gjykatën Speciale se krahu ushtarak ishte përcaktues për marrëveshjen për çarmatosjen e UÇK-së. Këshilltari i ish-gjeneralit të NATO-s. Westley Clark, tha se krahu ushtarak e kishte edhe kontrollin e edhe komandën në UÇK.
John Duncan, i cili është dëshmitari i tretë me radhë i mbrojtjes në rastin më të madh të Gjykatës Speciale, ka deklaruar se krahu ushtarak i UÇK-së kishte komandën dhe kontrollin.
Ish-këshilltari i gjeneralit të NATO-s, Westley Clark, tek iu përgjigj pyetjeve të gjyqtarëve, tha se informatat e NATO-s i shërbyen që ta kuptonte që krahu ushtarak kishte epërsi mbi krahun politik, pjesë e së cilit ishte Hashim Thaçi.
Në dëshminë gjatë procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe ish-anëtarëve të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Duncan tha se Agim Çeku, që NATO-ja e shihte si kryesorin e krahut ushtarak, e kërkoi përfshirjen e komandantëve të zonave në negociatat për demilitarizimin e UÇK-së.
“Sipas informacionit që kishim ne, dhe mbase jam pjekur ta shpjegoj sepse nuk ia kam dalë dot në të shkuarën, ne e kishim kuptuar që pushtetin e kishin komandantët e zonave dhe gjenerali Çeku. Nëse do të kishim informata të tjera do të silleshim ndryshe. Nëse ky organ që quhej Shtab i Përgjithshëm do të ishte organ i fuqishëm, të kishte kompetenca dhe të ishte në gjendje të komunikonte me ne, atëherë pikërisht Shtabit të Përgjithshëm do t’i drejtoheshim ne”, tha Duncan.
E tek iu përgjigj pyetjeve të Prokurorisë, Duncan u tërhoq pjesërisht nga deklarata dhënë mbrojtjes se Thaçi qe lojtar kyç.
“Keni thënë në fillim këtu, “në një moment mu desh t’i ndërprisja diskutimet kryesore për një mbledhje të mbyllur me lojtarët kryesorë, në të cilën ia shpjegova rëndësinë politike tw kësaj ndërmarrjeje si një nga hapat apo hapi më i rëndësishëm drejt Kosovës së pavarur”. Kështu thatë apo jo?” – pyeti prokurori Matthew Halling.
“Po dhe me lojtarët kyç e kisha fjalën për ata që ishim më aktivë dhe që ishin bashkëbiseduesit kryesorë në këto diskutime. Këtë doja ta thosha”, tha Duncan.
Para Duncanit si të ftuar nga mbrojtja kanë dëshmuar James Rubin dhe Paul Williams.