LAJMET E MBRËMJES

Dështon sërish miratimi i projektligjit për IVF

Për shkak të dallimeve në qëndrime të deputetëve brenda koalicionit qeveritar, Projektligji për Fertilizimin e Asistuar Mjekësor nuk ka arritur të miratohet as në seancën e së enjtes. Për të tretën herë brenda këtij viti është shtyrë edhe votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për shkak të mungesës së kuorumit, por edhe mungesës së konsensusit pushtet-opozitë

Në amendamentin e katërt, ku mbeti në seancën e kaluar, ngeci edhe të enjten Projektligji për Fertilizimin e Asistuar Mjekësor.

Amendamenti i propozuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica, që përcakton se e drejta riprodhuese duhet t’i takojë vetëm çiftit e jo edhe individit, nuk u mbështet as nga vetë ai.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca i kërkoi sqarime deputetit për qëndrimin që mbajti. Por ai tha se ka mandat të lirë dhe i takon atij të vendosë si dëshiron, duke shtuar se veprimin e tij e mbështeti në kushtet e seancës me numër të vogël deputetësh.

“Përsëri po hyjmë në një votim, përsëri do të ketë, sipas asaj çka unë po lexoj, nuk do të ketë kuorum. E drejta e votimit dhe e mosvotimit është plotësisht në përgjegjësitë e deputetit”, ka thënë Korenica.

Por kryeparlamentari u shpreh se me këto veprime ia ka ndërlikuar punën e Kuvendit.

“Shumë më lehtë ka qenë të mos ia kishit bërë këtë ndërlikim hiq Kuvendit. Kur do të vinte projektligji nuk do ta kishit votuar, prapë do të kishte qenë e njëjta procedurë”, ka theksuar Konjufca.

Por sipas Korenicës, kërkesa e tij dhe e disa deputetëve të tjerë ishte që të tërhiqet ky ligj.

“Ende po e mbështesim të njëjtin mendim për shkak të defekteve që ka”, është kundërpërgjigjur Korenica.

Për shkak të mospjesëmarrjes së disa deputetëve të koalicionit qeveritar në votim, gjë që pamundësoi kuorumin, nuk ishte i mundur procedimi i amendamenteve të tjera, për çka projektligji është shtyrë për një seancë tjetër.

Ky projektligj ka disa seanca që po dështon të miratohet.

Në mbledhjen plenare të së enjtes, me votat e deputetëve dhe të pushtetit, është miratuar kërkesa e PDK-së për themelimin e Komisionit Hetimor lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe të zyrtarëve në Ministrinë e Jashtme e të Diasporës.

Paraprakisht ministrja Donika Gërvalla ka thënë se pajtohet me këtë kërkesë, por që, sipas saj, nuk ka të bëjë me menaxhimin e saj në ministri, por me luftën përbrenda PDK-së.

Ajo ka kërkuar nga Kuvendi që në titullin e këtij komisioni të tregohet që nuk bëhet fjalë vetëm për periudhën 2021-2023, por për të gjitha punësimet në kuadër të MPJ-së. Kësisoj ka përmendur raste për të cilat ka thënë se në kohën e Enver Hoxhajt, ish-ministër i Jashtëm, nuk është respektuar asnjë kriter i punësimit dhe i konkurseve.

“Me të njëjtin vendim ish-ministri Enver Hoxhaj edhe e emëron anëtar të Shërbimit të Jashtëm personin dhe ia cakton gradën konsull dhe ia cakton emërimin në misionin ku ka shkuar. Të mos flasim edhe për emërime që janë caktuar në oda, në kafe dhe që kanë qenë pjesë e pazareve në prag të zgjedhjeve. Pavarësisht nga vjen kërkesa dhe me cilat motive, kjo kërkesë që ka ardhur për këtë komision më krijon përshtypjen sikur është pjesë e luftës së brendshme brenda PDK-së për të diskredituar persona të caktuar, si Enver Hoxhaj, se sa që ka të bëjë me mua personalisht”, është shprehur ajo.

E komisioni tjetër i propozuar po ashtu nga PDK-ja, që ka të bëjë me zjarret në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe me zhdukjen e mostrave në rastin Astrit Dehari, nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme për themelim.

Kuvendi ka miratuar në parim projektligjet për KPK-në, KPM-në, projektligjin për sportin dhe atë për tekstet shkollore.

E në seancë pati edhe dështime të tjera. Kuvendi ka dështuar të votojë për të tretën herë brenda këtij viti marrëveshjet ndërkombëtare për shkak të mungesës së kuorumit, por edhe mungesës së konsensusit pushtet-opozitë.

Në një rast pati tentim të nxirret për votim një nga njëmbëdhjetë marrëveshjet, por votat e nevojshme prej 80 sosh nuk u bënë. Si pasojë e mosvotimit të marrëveshjeve nga një pjesë e deputetëve të opozitës, kabineti qeveritar nuk u është përgjigjur pyetjeve parlamentare.

Në mbledhjen plenare të së enjtes ishin plot 72 pyetje parlamentare, 61 prej tyre të bartura seancë pas seance.

Për shkak të mospërgjigjes së kryeministrit e ministrave ndaj deputetëve mosvotues të marrëveshjeve, pati pyetje pa përgjigje që nga maji i vitit të kaluar.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi, shprehu shqetësim për qasjen e Qeverisë ndaj Kuvendit.

“Pyetjet që ia kam adresuar kryeministrit janë që nga 22 maji i vitit të kaluar. Është shqetësuese që kryeministri nuk ka kohë që te vijë të jap përgjigje në Kuvend”, ka thënë ajo.

Njësoj u ankua edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

“Këtë pyetje e kam parashtruar më 14.10.2023 domethënë 4 muaj nuk kam mundur të marr përgjigje nga kryeministri”, ka thënë Kadrijaj.

Pavarësisht kësaj situate, në këmbim të përgjigjeve, ministrat kanë kërkuar edhe në seancën e fundit votim të marrëveshjeve.

Në këtë seancë, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, dikur ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë, ka kërkuar nga Qeveria e nga partnerët ndërkombëtarë përpjekje për t’i larguar nga lista e INTERPOL-it tre policët kosovarë që janë futur aty me kërkesë të Rusisë.

“Bëj thirrje publike si deputet, si qytetar i këtij vendi, shtetit të Kosovës, Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, partnerëve tanë që të bëjnë të pamundurën që këta policë, majori i Policisë së Kosovës, Alban Jetullahu, kapiteni Besart Ahmeti, polici i Njësisë Speciale, Faruk Gashi, janë në listën e Interpol-it dhe ata të hiqen sa më shpejt që është e mundur”, ka deklaruar ai.

Në këtë seancë të Kuvendit u betua komisionerja parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Remzie Zeqiraj.