LAJMET E MBRËMJES

Dështimi i 48-të i deputetëve

Deputetët kanë dështuar për të 48-tën herë që ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Pas ndërprerjes së seancës, ligjvënësit opozitarë kanë mbetur edhe për pak në sallë dhe nga aty kanë kërkuar që anëtarët e kabinetit qeveritar, që janë zgjedhur deputetë, t’i lirojnë pozitat në ekzekutiv

Njëqind deputetët e pranishëm të enjten në seancë, kanë dështuar për herë të 48-të ta konstituojnë Kuvendin.

Përfaqësuesit e partive, që në mandatin e shkuar ishin në opozitë, shkurtimisht janë shprehur në foltore, kur u është kërkuar propozimi i emrave për anëtarë të Komisionit për votimin e fshehtë për zgjedhje të kryeparlamentarit.

Por fjalimet u janë ndërprerë nga kryesuesi Avni Dehari.

“Duke u bazuar në faktin që sot është dita e 89-të që kur e kemi dhënë betimin si deputetë të kësaj legjislature...”, ka thënë deputeti Rashit Qalaj (PDK).

Kryesuesi Dehari, që vjen nga radhët e Vetëvenosjes, e ka kërkuar ndaljen e mikrofonit.

“Vetëm për propozim, nuk ka nevojë për debat, konstituone Kuvendin njëherë”, ka thënë ai.
Dehari është thirrur në nenin 9 të Rregullores së Kuvendit, që nuk lejon debat brenda seancës konstituive.

Pas kësaj pati një përplasje verbale.

“Për çka jam dalë unë këtu, mos më kallëzo ti çka them unë, a mundesh ti me më tregu çka them unë?”, ka deklaruar Qalaj.

Dehari ka kërkuar që Rregullorja e Kuvendit të respektohet.

“Rregulloren lexoje pak më ndryshe”, ka thënë Qalaj, për të vazhduar: “Pavarësisht që ky e ka ndalë si instrument që është bërë, ne është dashur qysh moti të kemi institucione të këtij vendi. Është hera e 48-të që po mblidhemi pa ndonjë rezultat”.

Meqë deputeti nuk ka kaluar te propozimi i emrit për anëtar komisioni, kryesuesi ia ka ndalur mikrofonin. E në shenjë proteste, Qalaj ka qëndruar edhe për disa minuta në foltore, teksa deputetët e Vetëvendosjes kanë krijuar zhurmë për t’ia pamundësuar fjalimin.

Pas tij, fjalimi u është ndërprerë edhe përfaqësuesve të LDK-së dhe AAK-së.

“Vendi është në krizën më të thellë politike ekonomike”, ka thënë Alban Zogaj, deputet nga radhët e LDK-së.

Njëjtë është vepruar edhe me Time Kadrijajn, deputete nga radhët e AAK-së.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka kandidatin, por sot paska shkuar në pushime në Greqi”, ka thënë ajo, duke iu referuar deputetit dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Formimi i Komisionit ka dështuar për mungesë kuorumi, pasi në votim kanë marrë pjesë vetëm 51 deputetë, e të cilët kanë votuar për.

Pas ndërprerjes së seancës, në diskutimet që opozita e deritashme i ka vazhduar në sallë, ka kërkuar që deputetët që janë edhe pjesë e kabinetit qeveritar, ta respektojnë aktgjykimin e Supremes dhe t’i lirojnë pozitat në ekzekutiv.

“PDK-ja i bën thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrave që janë njëkohësisht deputetë, që ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke i liruar menjëherë funksionet ekzekutive për t’ua deleguar ato zëvendësve të tyre. Si dhe kërkojmë që ata t’i ndalin sulmet ndaj gjyqësorit, ka thënë Altin Krasniqi (PDK).

Kërkesë të njëjtë ka pasur edhe Time Kadrijaj (AAK).

“Këta jashtëligjshëm janë duke i mbajtur pozitat edhe si kryeministër edhe si ministra edhe si zëvendësministra, sepse është konflikt interesi dhe nuk mundesh në të njëjtën kohë të jesh edhe kryeministër dhe ministër edhe deputet”, ka thënë Kadrijaj.

E, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, para fjalimit e ka hequr flamurin kombëtar nga tavolina pranë së cilës ulet kryeministri në detyrë dhe e ka vendosur një tjetër me emrin e kompanisë “NOA Trade Energy”, referencë për blerjet e energjisë kohët e fundit.

“Ju bëj thirrje jo vetëm votuesve dhe kolegëve tanë në grupin parlamentar, por të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të punojmë ditë e natë, me sinqeritetin më të madh, që t’ia heqim maskën Albin Kurtit. Albin Kurti nuk ka mundësi dhe nuk duhet ta lejojmë të mbështillet me flamurin kuqezi sa herë ka nevojë. Albin Kurti për katër vjet në pushtet më shumë identifikohet me flamurin e NOA-s”, ka deklaruar Bajrami.

Por nga Vetëvendosje kanë bërë thirrje tjetër për kolegët nga opozita e deritashme.

“Ne ju bëjmë thirrje që nëse janë kaq të etur të bëjnë debat parlamentar, le ta konstituojnë Kuvendin dhe le t’i kthehemi normalitetit në Kuvend, duke debatuar për çështje të ndryshme të cilat janë në interes të vendit tonë”, është shprehur Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, deputete nga radhët e LVV-së. 

Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për të shtunën në orën 11:00. 

E, deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, është shprehur optimiste që në fundjavë mund të ketë lëvizje pozitive në drejtim të konsituimit, meqë, sipas saj, do të ketë një takim mes kryetarit të partisë së saj, Fatmir Limaj, dhe atij të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Shpresojmë se këto marrëveshje, këto bisedime që kanë shkuar me muaj të tërë, ta prodhojnë një rezultat dhe Kosova të ketë institucione”, ka thënë ajo.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe në 48 përpjekjet e deritashme kanë kaluar vetëm dy pika të rendit të ditës. Pika e tretë, ajo për zgjedhjen e kryeparlamentarit, e ka çuar nën bllokadë këtë institucion.