Edhe përpjekja i 26-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të mërkurën. Ndryshe nga praktika e mbajtjes së seancave të kaluara në distancë prej 48 orëve njëra nga tjetra, e radhës do të mbahet pas vetëm 24 orëve. Ky ndryshim u bë që t’u mundësohet deputetëve të pushojnë të premten për festën e Kurban Bajramit
Me paragjykimin se tentimi i 26-të për konstituim do të dështojë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ftoi grupet parlamentare në konsultë për caktimin e vazhdimit të seancës së radhës, ende pa nisur ajo e së mërkurës.
Dehari propozoi që afati prej 48 orësh, i përcaktuar në Rregullore për ndërprerjet e seancës, të shkurtohet në 24 orë.
Qëllimi ishte që vazhdimi i radhës të bëhet të enjten, dhe të premten për festën e Kurban Bajramit deputetët të pushojnë.
Kësisoj edhe u vendos, ndonëse përfaqësuesit e partive deri tash në opozitë thanë se nuk u pajtuan.
Seanca nisi dhe vazhdimi u bë nga pikëpropozimi i kryesuesit, që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bëhet me votim të fshehtë.
Komisioni që do ta zhvillonte këtë proces nuk u formua, meqë nuk pati kuorum vendimmarrës.
“53 deputetë kanë votuar për, një kundër, nuk ka abstenime. Shihemi më 5 qershor, në orën 11:00”, ka njoftuar kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, e quajti kurdisje caktimin e seancës në favor të nevojave të deputetëve dhe jo të qytetarëve.
“Sot pati përpjekje dhe fatkeqësisht u kurdis seanca për të akomoduar nevojat e deputetëve e nuk po arrijmë që të bëjmë marrëveshje për të mirën e qytetarit”, ka thënë Çitaku.
Për caktimin e seancës së ardhshme ka reaguar edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
“Për ndryshim të orarit zotëri Dehari e ka ndryshuar pa miratimin tonë. Kemi thënë që është e pandershme të dilet para qytetarëve tanë në një moment të tillë tash kur ka festë dhe të themi për festë po e rregullojmë orarin e seancës sipas dëshirës sonë”.
Në Vetëvendosje sërish thanë se përgjegjësia u takon deputetëve të PDK-së, LDK-së, koalicionit AAK-Nisma dhe Listës Serbe që nuk po marrin pjesë në votim.
“Të njëjtit që kanë pasur votë për Zajednicën, nuk kanë për Albulenën, sikur ta kishin zellin që t’i kundërshtojnë Zajednicën e Gjykatën Speciale, qysh e kanë për Albulenën, unë mendoj që Kosova do të ishte shumë më mirë sot”, ka deklaruar deputeti i VV-së, Dimal Basha.
Pas përfundimit të seancës, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj pati një bisedë në hollin e Kuvendit me njërin nga deputetët e Vetëvendosjes, parti me të cilën i kanë zhvilluar disa takime për marrëveshje politike, por që deri tash nuk është arritur.
Bashkëbiseduesit Fatmir Limaj e Agim Bahtiri thanë se vetëm për koalicion nuk po flisnin.
“Jo jemi duke biseduar për një kurban duam ta premë. Një kurban duam ta premë që të kthehet opozita mbarë”, është shprehur Bahtiri.
Megjithatë, Limaj u shpreh optimist për marrëveshje politike.
“Dalëngadalë po afrohet koha që Kosova të ketë institucionet e veta. Është e qartë se do të kemi një marrëveshje politike, që do t’ia japë Kosovës institucionet e saj”, ka theksuar Limaj.
Që nga hapja e seancës konstituive më 15 prill, kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka dështuar të zgjidhet 6 herë radhazi, ndërkaq të mërkurën dështoi për të 18-n herë formimi i Komisionit për votimin e fshehtë.