Të hënën ka dështuar përpjekja e 10-të e Lëvizjes Vetëvendosje për t’i zgjedhur anëtarët e komisionit zgjedhor për votim të fshehtë të kryetares së Kuvendit e Kosovës. Procesi i votimit të fshehtë, që u fut në skenar të seancës që nga 1 maji, tani është edhe objekt trajtimi në Gjykatën Kushtetuese. Përfaqësues të AAK-së u shprehën optimistë se gjykata do ta konstatojë se kryesuesi i seancës ka bërë shkelje të Kushtetutës e në LVV kërkuan që vendimi i Kushtetueses të nxirret sa më parë. Në përgjithësi kjo ishte përpjekja e 18-të
Për herë të 10-të ka dështuar të hënën përpjekja e Lëvizjes Vetëvendosje për t’i zgjedhur anëtarët e komisionit zgjedhor për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i seancës, deputeti i LVV-së, Avni Dehari, fillimisht i thirri në konsultim përfaqësuesit e subjekteve politike në prag të nisjes së seancës për t’i pyetur nëse pajtohen për ta shtyrë seancën për më shumë sesa 48 orë.
Partitë deri më herët në opozitë nuk u pajtuan me këtë e po ashtu nuk propozuan anëtarë për komisionin zgjedhor.
E rezultati i votimit ishte i njëjtë si në herat e kaluara, pa kuorum vendimmarrës për të hyrë në procedurën e votimit të fshehtë.
“Kanë votuar 52 deputetë për, kundër një, abstenime nuk ka. Shihemi më 21 në orën 11”, ka thënë Dehari pas votimit.
Përpjekja për të hyrë në votim me fletëvotime është edhe objekt trajtimi i Gjykatës Kushtetuese, ku deputetë të AAK-së, por edhe të PDK-së e LDK-së kanë çuar kërkesë në instancën më të lartë për vlerësim.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka paralajmëruar dërgimin e komenteve shtesë në Kushtetuese.
“Në fakt tash do të nisem për në Gjykatën Kushtetuese është afati i fundit për dërgimin e komenteve. Ne kemi hartuar edhe disa komente në përkrahje dhe në mbështetje të asaj që e kemi dërguar dhe arsyetimin se pse duhet trajtuar me seriozitet. Tash do t’i dërgojmë dhe sigurisht se duam ta fuqizojmë kërkesën paraprake”, ka thënë Kadrijaj.
E nga Lëvizja Vetëvendosje, deputeti Dimal Basha ka mbrojtur idenë e kalimit në votim me fletëvotime.
“Ajo që është me rëndësi tash është po besoj një kërkesë nga AAK-ja në Gjykatën Kushtetuese. Shpresoj e uroj që Gjykata Kushtetuese të dalë sa më shpejtë për të dhënë një përgjigje konstituimit të Kuvendit nëse e merr të pranueshme, pasi për ne është e qartë tashmë, aktgjykimi pika 128 e thotë që mund të jetë votimi i hapur apo fshehtë”, ka thënë Basha.
Në bazë të kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë që AAK-ja e ka dorëzuar më 12 maj kontestohet “Vendimi i Kuvendit të Kosovës për ndryshim të rendit të ditës, i datës 5 maj 2025”.
Në kërkesë thuhet se kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit është refuzuar, teksa theksohet edhe se kryesuesi i seancës ka shkelur procedurat duke vendosur që ta ndryshojë një agjendë, e cila përcaktohet në mbledhjen e legjislaturës paraprake.
Kërkesa e AAK-së është që të anulohen të gjitha vendimet e Kuvendit që prej 15 prillit deri më 5 maj.
E Lëvizja Vetëvendosje pretendon se veprimet e kryesuesit Dehari janë në përputhje me Kushtetutën, edhe me aktgjykimin e Kushtetueses të vitit 2014, që e lë të hapur mundësinë për votim të fshehtë.
Lëvizja Vetëvendosje, që ndonëse nuk i ka votat e mjaftueshme, insiston që Albulena Haxhiun të zgjidhet kryetare e Kuvendit, subjektet e tjera nuk kanë përkrahje për të e kërkojnë ndërrimin e kandidates.
Sipas Memli Krasniqit. Kryetarit të PDK-së, Vetëvendosje nuk është e interesuar për zhbllokim të situatës.
"Unë besoj që ne duhet me i dhanë përgjigje politike, këtu situata është shumë e thjeshtë: për 24 orë mundet me u konstituu Kuvendi dhe Qeveria nëse Albin Kurti dhe Vetëvendosja tërhiqen prej Albulena Haxhiut, sepse nuk është ajo më e rëndësishme sesa 1 milion qytetarë që kanë votu më 9 shkurt”, ka thënë Krasniqi.
E sipas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, është e pakuptueshme se si një parti që ka 48 deputetë nuk është duke arritur të bëjë një shumicë minimale.
“Fatkeqësisht nuk ka as interes e nuk ka as urgjencë për partinë e parë që t'i bëjë institucionet … Për shkak se nuk ka urgjencë ka edhe zvarritje, për shkak se nuk ka urgjencë ka edhe propozime që seanca të mos mbahet sipas rregullores, mungesa e urgjencës është vërtet lajm i keq për Republikën e Kosovës, sepse Kosova ka nevojë për institucione, ka nevojë për veprime politike të partisë së parë”, ka thënë Abdixhiku.
Një propozim për kandidaten e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit kishte deputetja Time Kadrijaj e AAK-së.
"Vetëm me e propozu për çmimin ‘Nobel’ Albulena Haxhiun, edhe pse çmimi është për të arriturat dhe sukseset në ndonjë fushë ose ndonjë lami, e tash me e propozu për çmimin ‘Nobel’ për dështimet e njëpasnjëshme me plot seanca dhe vazhdimin e LVV-së me të njëjtin kandidat...", ka ironizuar ajo.
Por, për Lëvizjen Vetëvendosje bllokues janë partitë që nuk po votojnë pro kandidates së tyre.
Deputeti Dimal Basha ka thënë se për emrin e Haxhiut nuk bëjnë kompromis.
“Propozimi na takon neve dhe derisa dikush nuk ka një arsye të shëndoshë që del e kundërshton znj Haxhiu na s`mundemi me ju nënshtru dëshirave të opozitës, prandaj bllokimi vjen prej tyre e s`besoj që është përgjegjësi e jona me jau plotësu dëshirat atyre për me zhblloku për shkak se na takon neve”, ka deklaruar Basha.
Ndonëse ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur që të sigurojë votat e nevojshme për të zgjedhur Kryesinë e Kuvendit.
Përveç 48 deputetëve të saj, VV-ja ka mbështetjen edhe të 9 nga 11 deputetët e komuniteteve pakicë.
Kuvendi konstituohet me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, për të cilët nevojiten së paku 61 vota për.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe deri më tash kanë kaluar vetëm dy pika të rendit të ditës.
Bllokimi është shakktuar te zgjedhja e kryetarit si pikë e tretë, e pikë e fundit është zgjedhja e nënkryetarëve.
Në seancat e para g jatë prillit, VV-ja propozoi Albulena Haxhiun për kryetare, por asnjëherë nuk i mori votat e mjaftueshme. Më pas, tentoi të ndërroi mënyrën e votimit, nga i hapur në të fshehtë, por komisioni që do të mbikëqyrte këtë proces, nuk i mori po ashtu votat e duhura.
Seanca e radhës pritet të mbahet më 21 maj.