Në shqyrtimin gjyqësor për rastin ku ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, e ka përmbyllur dëshminë e tij dëshmitari i 46-të. Serbi nga Rahoveci tha se familjarë të tij janë rrëmbyer nga pjesëtarët e UÇK-së dhe se nëna e tij ia ka përmendur emrin e Jakup Krasniqit, si personi që ua mori të dhënat personale
Dëshmitari i 46-të, një serb nga rajoni i Rahovecit, dëshmoi në Gjykatën Speciale për ndalimin e të afërmve dhe për zhdukjen e babait dhe të vëllait të tij në rastin gjyqësor ku ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar bëri të ditur se dëshmitarit, për të cilin trupi gjykues vendosi që të shfaqej me figurë e me zë, por që të mos i zbardhej emri, katër të afërm iu ndaluan nga pjesëtarët e UÇK-së në rajonin e Rahovecit, më 17 korrik të 98-s.
Prokurori Nico Baarlink theksoi se babai e vëllai i dëshmitarit u dërguan në Malishevë ndërsa nëna, kunata e nipi i porsalindur në ish-stacionin policor.
“Nëna e dëshmitarit dëgjonte rënkime që vinin nga burrat e mbajtur në bodrumin e ndërtesës. Të tetën ditë, nëna, kunata dhe nipi i dëshmitarit janë nxjerrë nga ndërtesa dhe janë vendosur në një autobus, bashkë me gratë dhe fëmijët e tjerë, krahas burrave serbë me duar të lidhur dhe me koka ulur. Babai dhe vëllai i dëshmitarit 428 nuk ishin në autobus dhe dëshmitari nuk i pa më kurrë. Në këtë pikë nëna, kunata dhe nipi i dëshmitarit janë ndarë nga burrat dhe janë liruar pas pak ditësh”, tha Baarlink.
Dëshmitari tha se trupat e familjarëve të zhdukur u gjetën pas luftës.
“A e morët në ndonjë moment ndonjë konfirmim që babai dhe vëllai juaj nuk jetonin më?” – tha Baarlink.
“Po e morëm këtë konfirmim më 2007, një muaj para se të vdiste nëna. Na thanë që iu gjet ADN-ja në disa mbetje mortore, e që në fakt ishin mbetjet mortore të babait dhe vëllait tim...”, tha dëshmitari i 46-të.
Ai theksoi se nëna ia pati përmendur një personi me emrin Jakup Krasniqi, si pjesëtar i UÇK-së.
“Dëshmitar, unë po ju them se në deklaratën që e ka dhënë nëna juaj nuk ka deklaruar asnjëherë që Jakup Krasniqi u ka marrë të dhënat personale apo që i ka marrë në pyetje. Kjo nuk përputhet me atë që po thoni ju. A është kështu?” – pyeti avokati i Krasniqit, Aidan Ellis.
“Siç e shpjegova, nëna më ka thënë që Jakup Hoti ishte ai që e hapte e e mbyllte derën e qelisë, i sillte ushqim foshnjës e kështu me radhë. E Jakup Krasniqi ka mbajtur shënim të dhënat e tyre, nuk i mori në pyetje më shumë, thjesht u prezantua që është Jakup Krasniqi dhe mi jepni të dhënat, si quheni, emrin, mbiemrin. Këtë ma ka thënë nëna, nuk po e shpik unë”, tha dëshmitari.
Tek iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes, dëshmitari konfirmoi se punon në Ministrinë e Brendshme të Serbisë, porse mohoi që kjo instancë ka ndikuar në dëshminë e tij.
Ai u shpreh njëqind për qind i sigurt se ishte UÇK-ja ajo që, siç tha, i rrëmbeu familjarët e tij, meqë në raportin e pranuar, pas marrjes së trupave të tyre, ai theksoi se shihej që ata ishin ekzekutuar.
Pas tij, dëshminë e vazhdoi Hajrush Kurtaj, ish-komandant brigade në Zonën e Nerodimës, që mohoi se gjatë luftë ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm.