Dëshmitari anonim “A2” ka dëshmuar para Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin për sulmin terrorist në Banjskë. Dëshmia është dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun, pasi Prokuroria Speciale vlerësoi se dëshmitarit mund t’i rrezikohet siguria nëse flet në seancë publike.
Dëshmitari anonim “A2” është dëgjuar në seancë të mbyllur në shqyrtimin gjyqësor për sulmin terrorist në Banjskë.
Gjykata e aprovoi propozimin e Prokurorisë Speciale, sipas së cilës dëshmitarit mund t’i rrezikohet siguria nëse flet në seancë publike.
“Pas propozimit të prokurorit të shtetit dhe marrjes së mendimit nga mbrojtja, trupi gjykues merr këtë aktvendim: aprovohet propozimi i prokurorisë që seanca të kalojë në seancë të mbyllur gjatë dëgjimit të dëshmitarit anonim A2...me qëllim të mbrojtjes së dëshmitarit”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti.
E paraprakisht, prokurori special, Naim Abazi, theksoi se e mbështet kërkesën e tij në Kodin e Procedurës Penale, teksa Lubomir Panoviq, avokat i të akuzuarit Bllagoje Spasojeviq, tha se kërkesa e organit të akuzës nuk ka bazë.
“Siç e dini ky status i dëshmitarit është vendosur në përputhje me dispozitat e kapitullit të 13 të Kodit të Procedurës Penale që rregullojnë mbrojtjen e dëshmitarëve, përfshirë mbrojtjen e dëshmitarëve anonimë, me qëllim që të garantohet siguria fizike e dëshmitarit dhe për ta ruajtur integritetin e procedurës penale. Përmbajtja e dëshmisë së këtij dëshmitari përmban rrethana që në rast të ekspozimit në këtë seancë publike mund ta cenojnë sigurinë e tij dhe procesit gjyqësor dhe rrjedhimisht mund të ndikojnë negativisht në mbarëvajtjen e procesit gjyqësor”, ka thënë Abazi.
“Edhe unë do të pajtohesha me këtë po të dëgjonim nga prokuroria arsyet konkrete përse prania e publikut do të ndikonte negativisht si te dëshmitari, ashtu edhe te procesi. Pra ne, arsye konkrete nuk dëgjuam prej prokurorisë, andaj propozoj që të mos e pranoni këtë propozim”, ka deklaruar Lubomir Pantoviq, avokat i Bllagoje Spasojeviqit.
Në këtë rast janë të propozuar tre dëshmitarë anonimë: “F1”, “A2”, “X1”.
E të hënën nuk ishte hera e parë që u mbyll seanca në emër të mbrojtjes së dëshmitarëve.
E para dëshmitarit “A2”, më 21 korrik, gjykata në seancë të mbyllur e dëgjoi dëshmitarin “F1”.
Lidhur me dëshmitë e dëgjuara deri më tani nga dëshmitarët serbë, Rade Nedelkoviq, Ivan Filimonoviqit, Velko Iliq, Marko Saviq, vërejtje të mëdha ka dhënë avokati i të dëmtuarit, policit Alban Rashiti.
Avokati Naim Rudari ka parashtruar kallëzim penal kundër tyre.
E në IKD kanë thënë se ekziston mundësia që dëshmitarët i janë nënshtruar presionit për të dëshmuar në favor të të akuzuarve.
Duke u gjykuar për kryerje të veprës terroriste për sulmin, ku u vra polici Afrim Bunjaku, janë tre të akuzuarit: Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq dhe Dushan Maksimoviq.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit e tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë.
Në aktakuzë thuhet se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë të akuzuarit kanë tentuar ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe t’ia bashkojnë Serbisë.