LAJMET E MBRËMJES

Deputetët me kërkesa për Qeverinë dhe ndërkombëtarët, pas agresionit nga Serbia

Deputetët u kanë kërkuar Qeverisë dhe ndërkombëtarëve një numër veprimesh, pas agresionit të Serbisë në veri. Përpos nevojës për t’i vënë sanksione Serbisë, është kërkuar që të rishkruhet edhe Strategjia Kombëtare e Sigurisë, me qëllimin që në dokumentin e ri ky shtet të definohet si armik i Kosovës.

Deputetë të partisë në pushtet e edhe ata të opozitës listuan një numër kërkesash për komunitetin ndërkombëtar e edhe për Qeverinë, në mënyrë që agresioni i Serbisë nëpërmjet sulmit në Banjskë të adresohet drejt dhe urdhërdhënësit të japin përgjegjësi.

Por ligjvënësit e të dyja kampeve kërkesat i adresuan ndaras dhe në adresa të ndryshme.

Dimal Basha, i cili foli në emër të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, foli për veprimet që duhet të ndërmarrë faktori ndërkombëtar.

“Kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare të ndërmarrë masa sanksionuese ndaj shtetit të Serbisë, duke marrë parasysh që ky shtet strehon dhe sponsorizon terroristë. Kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtrojë presion mbi shtetin e Serbisë që të ekstradojë në Kosovë menjëherë të gjithë personat e përfshirë në këtë akt terrorist duke filluar me kryeterroristin Radoiçiq”, tha Basha.

E nënkryetari i Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, i kërkoi ekzekutivit që ta rishkruajë Strategjinë Kombëtare të Sigurisë, me qëllimin që në dokumentin e ri Serbia të definohet si armik i shtetësisë së Kosovës.

“Ju ftoj që 24 shtatorin ta marrim seriozisht përmes një politike komplet të re të sigurisë. Ta rishkruani edhe strategjinë e sigurisë, meqë nëse Serbia ka qenë armik i popullit të Kosovës deri më 1999-n, më 24 shtator ka treguar që është armik i shtetit të Kosovës dhe këtë fazë të re duhet të hymë mirë të përgatitur”, tha Hoxhaj.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, listoi kërkesa për Qeverinë. Ai shtroi nevojën që të adresohet drejt sulmi terrorist dhe që përveç hetimit ndërkombëtar, të rriten angazhimet me NATO-n përmes platformave operacionale, politike e diplomatike.

“Fitorja e 24 shtatorit në rrafshin e sigurisë do të duhej të përkthehej në një fitore politike për Kosovën përmes një bashkërendimi dhe bashkëveprimi të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Mbretërinë e Bashkuar, me shtetet e Bashkimit Evropian për të ndërtuar tregimin tonë”, tha Tahiri.

Më 24 shtator, një grup paraushtarak sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, gjatë të cilit u vra një rreshter policie. Për këtë sulm, në të cilin u vranë tre anëtarë të grupit, Prishtina zyrtare ka bërë përgjegjëse Serbinë.