Deputetë të opozitës, por edhe të pushtetit kanë kërkuar shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të OSHP-së, e jo vetëm të anëtares Kimete Gashi. Ajo të mërkurën u ballafaqua me deputetët për lejimin që të futen insulina pa autorizim marketingu, dokument që garanton cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin e barnave. Njëjtë si deputetët, edhe Gashi kërkoi arsyen se pse vetëm ajo është propozuar nga Qeveria për shkarkim
Komisioni parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shqyrtuar propozimin e Qeverisë për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi.
Gashi të mërkurën u ballafaqua me deputetët për lejimin që të futen insulina pa autorizim marketingu, duke rrezikuar shëndetin e pacientëve.
E deputetët e konsideruan të gabuar propozimin e Qeverisë për shkarkimin e vetëm një anëtari. Ata kërkuan që ky propozim të përfshijë të gjithë grupin vendimmarrës.
“Nuk ka vendim individual, nuk është as etike që ne tani ta drejtojmë gishtin te një person që realisht ka paqartësi dhe për një vendim që ka qenë kolektiv. Të gjithë kanë shkelë ligjin, konsideroj se Qeveria duhet ta tërheqë këtë vendim dhe ta bjerë vendimin për të gjithë, e jo kështu të selektojë dikë më mik e dikë më armik, sepse nuk është as e ligjshme e as e moralshme", ka thënë Ferat Shala, deputet nga PDK-ja.
“Po du me e ditë, në çfarë baze Qeveria ju ka zgjedhë veç juve? Çka keni bë ju si Kimete me Ministrinë e Shëndetësisë? Sepse këtë nuk e kam kuptuar”, ka pyetur deputetja Duda Balje.
Shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të OSHP-së e kërkuan edhe deputetët e partisë në pushtet.
“Ky shkarkim a e ndal këtë proces dhe kërkesa ime është që edhe të tjerët të shkarkohen për shkak se ju e shkarkoni një, mbesin edhe tre. Ata e kanë pasur qëndrimin e njëjtë me anëtaren e Bordit, dhe tash cili është qëndrimi. Duhet me u vendosë në bazë të gjykimit që ne e bëjmë këtu apo në bazë të asaj që ata mendojnë. Qysh keni me ndalë këtë proces, nëse doni me e ndalë për mos me u dëmtu shëndeti publik”, ka thënë Eman Rrahmani, deputet i LVV-së.
“Sa i rëndësishëm është autorizim marketingu duhet me shiku në vitin 2017, kur kanë ndërru jetë persona pas furnizimit me gaz pa autorizim marketing…..”, ka thënë deputetja e LVV-së, Jeta Statovci.
Po ashtu edhe vetë anëtarja e OShP-së, Kimete Gashi, shtoi pyetjen se pse vetëm ajo deri më tash është sulmuar nga Qeveria.
“Kemi dhënë edhe materialin prej nga kemi marrë vendimin. Më duhet me e njoftu Qeverinë që këtë vendim nuk e kanë marrë tre anëtarë, por pesë. Në rastin e dytë është e vërtetë që kanë qenë tre anëtarë, sepse rregullorja e parasheh, por përsëri aktiviteti është kthyer në rivlerësim. OSHP-ja është organ administrativ. Nuk ka shpallur fitues. Nuk ka lejuar të hyjnë barna pa autorizim marketingu”, ka thënë anëtarja e bordit të OSHP-së, Kimete Gashi.
E deputeti Shala tha se përfaqësimi i kësaj çështjeje përmes zëvendëskryeministres e jo nga ata që e njohin fushën e shëndetësisë, tregon për seriozitetin e ekzekutivit.
Autorizim marketingu është dokument që garanton cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin e barnave.