Anëtarët e Bordit të Komisionit të Pavarur për Media kanë raportuar para deputetëve në Komisionin Parlamentar lidhur me gjobat e shqiptuara ndaj katër kabllorëve. Disa nga deputetët e pushtetit i vlerësuan si të vogla gjobat e shqiptuara dhe e akuzuan KPM-në se e ka favorizuar dikë gjatë këtij procesi. Edhe brenda anëtarëve të KPM-së u shfaqën kundërshti mes vete në këtë mbledhje
Anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media për të tretën herë kanë raportuar para deputetëve në Komisionin Parlamentar për Media. Temë kryesore ishte gjobitja e katër kabllorëve që larguan nga transmetimi kanalet e “DigitAlb”-it pa i paralajmëruar klientët.
Deputetë të Vetëvendosjes akuzuan anëtarët e KPM-së se me gjobat që u ndanë u favorizua dikush nga kabllorët.
Por kryetari i Bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti, u shpreh se për herë të parë janë shqiptuar gjoba dhe ajo që është vendosur është gjoba maksimale e lejuar. Gjoba, sipas tij, është përcaktuar/shpërndarë në bazë të ankesave që janë marrë.
“Nga 540 ankesa, 64 për qind kanë qenë të drejtuara për “Art Motion”, 26 për qind ndaj “Kujtesës”, 7 për qind ndaj IPKO-s dhe 3 për qind ndaj “Telkosit”. Duke qenë se në gjykimin tonë dëmi nuk është i njëjtë, sanksionimi është dashur të jetë proporcional”, ka thënë Mehmeti.
Mirëpo deputeti i Vetëvendosjes, Besim Muzaqi, vlerësoi se gjoba është dashur të shpërndahej në bazë të numrit që kanë kabllorët.
“Nuk është përqindja e ankuesve që e përcakton, por duhet të jetë përqindja e konsumatorëve që kanë këta operatorë. Këtu shihet që ka pasur një favorizim të dikujt”, deklaroi ai.
Kjo u mohua nga KPM-ja duke thënë se kanë vepruar sipas rregullores.
Komisionit të pavarur i doli në mbrojtje deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, duke kërkuar që të mos cenohen pavarësia e institucionit dhe integriteti personal i anëtarëve.
“Ne nuk duhet që të rrezikojmë demokracinë. Ne duhet të shkojmë deri aty ku na lejohet, jo të prekim vijën e kuqe të pavarësisë institucionale. Ne e respektojmë pavarësinë institucionale që ua kemi dhënë. Ju jeni të zgjedhur. Nëse bëni diçka kundërligjshëm drejtësia duhet të merret me ju. Po bëhet një diskutim që po i bën dëm konceptit të institucioneve të pavarura”, ka thënë Tahiri.
Por një anëtareje të KPM-së nuk i bëri përshtypje as mbështetja e deputetit e as akuzat e pushtetit, meqë ajo vetë u doli kundër kolegëve të saj për sanksionimin e kabllorëve vetëm me gjobë.
“Kur ekziston dyshimi i një vepre penale çdo qytetar në bazë të Kodit Penal është i obliguar ta referojë rastin në prokurori. Aq më shumë kur je institucion që rregullon pjesën e televizionit. Në këtë rast nuk jemi pajtuar, kolegët kanë vendosur që rasti të referohet tutje tek Avokati i Popullit, tek Inspektorati i Tregut, etj. etj., pa u vënë në votim ky procedim i rastit, gjë për të cilën unë nuk pajtohem dhe ende nuk pajtohem. Jam e sigurt që kjo ka qenë një shkelje”, ka thënë anëtarja e bordit, Luljeta Aliu.
Asaj iu kundërpërgjigj kolegu i saj, Fitim Veliu.
“Unë nuk jam jurist, nuk mund ta hartoj një lëndë penale që ta dërgoj më tutje. Por, kolegia, për potencimin që po e thekson, e kam theksuar edhe unë, i kam thënë se nëse ti e inicion e ke nënshkrimin tim. Kaq, mendoj që nuk duhet të gjeneralizohet. Të kam thënë po, Lule, nise, prapa më ke”, ka thënë ai.
Jashtë temës u fol sërish edhe për kthimin e kanaleve të “Arena Sport”-it, e cila kishte transmetuar spote me përmbajtje lavdëruese për pjesëtarët e grupit terrorist që sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë. Nga deputetët u kërkua dokumenti me kërkimfaljen e “Arena Sportit”, që çoi në heqjen e ndalimit të shfaqjes së “Arena Sportit”. Por Niman Racaj, drejtor i Departamentit Ligjor në KPM, tha se në formë tekstuale kërkimfalja nuk ekziston. Ai tha se letra i ka të gjitha elementet e pendimit në raport me atë që ka ndodhur. Përmendi edhe një detaj që e konsideroi më të rëndësishëm.
“Besoj që duhet ta nxjerrim një gjë shumë pozitive në përgjigjen e tyre. Si kompani publike serbe ka dhënë zotim që do ta respektojë autoritetin dhe rregulloret e KPM-së, ka njohur një institucion kushtetues që rrjedhimisht e njeh shtetin e Kosovës, e njeh shtetin tonë”, ka arsyetuar ai.
Kërkimfalja e “Arena Sportit”, gjobat e kabllorëve dhe kontratat e operatorëve do të diskutohen sërish në një mbledhje të ardhshme të deputetëve të Komisionit me Bordin e KPM-së.