Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka shqiptuar dënimin kundër Svetomir Baçeviqit, pasi e ka shpallur atë fajtor për veprën penale të krimeve të luftës ndaj popullatës civile. “Trupi gjykues, në kuptim të nenit 365 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, e gjykon të akuzuarin me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 5 vjetësh”, ka thënë Musa Kongjeli, kryetar i trupit gjykues, teksa ka lexuar arsyetimin e aktgjykimit fajtor për veprën penale të krimeve të luftës, në rastin e maltretimit dhe rrëmbimit të 60-vjeçares shqiptare, Tigjë Kadrija, nga fshati Bellopojë i Pejës, gjatë kohës së luftës në Kosovë
24 vjet pas krimit, Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur të enjten hapin e parë për vendosjen e drejtësisë në rastin e maltretimit dhe rrëmbimit të një 60-vjeçareje shqiptare nga fshati Bellopojë i Pejës, gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Departamenti Special i kësaj gjykate e ka dënuar me pesë vjet heqje lirie serbin Svetomir Baçeviq, pasi e ka shpallur fajtor për veprën penale të krimeve të luftës ndaj popullatës civile.
I dënuari ka qenë fqinj i të dëmtuarës Tigjë Kadrija dhe burrit të saj, Rexhep. Në ditën e kryerjes së veprës ai u kishte hyrë në shtëpi i armatosur, kishte shtënë drejt shtëpisë dhe më pas e kishte nxjerrë çiftin në oborr. Aty i kishte urdhëruar që disa herë radhazi të uleshin dhe të ngriheshin më këmbë.
“Në atë moment të dëmtuarën Tigjë e nxjerr në rrugë, kurse të dëmtuarit Rexhep i thotë se po e dërgon gruan e tij në shtab të ushtrisë dhe policisë serbe në qendër të fshatit, duke e paralajmëruar se mund ta merrte atë vetëm pasi t’i sillte pjesëtarët e UÇK-së”, ka thënë Musa Kongjeli, kryetari i trupit gjykues, teksa ka lexuar arsyetimin e aktgjykimit. Aty është specifikuar se i akuzuari, pasi e kishte marrë të dëmtuarën në pikë të natës, atë e kishte detyruar që të ecte deri te shitorja e fshatit, ku, në prani të disa të dëshmitarëve, e kishte mbështetur për muri. Nga kjo situatë atë e kishte shpëtuar një fqinj tjetër – serbi Momçillo Saviq, i cili me të akuzuarin kishte pasur konfrontim fizik.
Për këtë vepër penale kryesuesi Kongjeli ia shqiptoi Baçeviqit dënimin me burgim, duke e përllogaritur në të edhe kohën që ai ka kaluar në paraburgim prej gati dy vjetësh.
“Andaj, trupi gjykues, në kuptim të nenit 365 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, e gjykon të akuzuarin me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 5 vjetësh”, ka thënë Kongjeli.
Dejan Vasiq, avokati i të akuzuarit, ka shprehur pakënaqësinë me vendimin, porse nuk ka treguar nëse do ta apelojë në shkallët e tjera të drejtësisë.
“E dëmtuara Tigjë Kadrija i ka thënë Gjykatës se Svetomiri nuk është personi që e ka marrë prej shtëpisë dhe se nuk e njeh fare Svetomirin. Pas këtij vendimi nuk kam se çfarë të them, kur janë në pyetje krimet e luftës dhe vendimet lidhur me këto krime”, është shprehur Vasiq, derisa ka kontestuar profesionalizmin e trupit gjykues.
Bazuar në versionin nga Gjykata, Baçeviqi ishte identifikuar në ndërlidhje me veprën nga fqinji Momçillo Saviq, si dhe nga disa dëshmitarë të tjerë, nëpërmjet fotografisë.
Në seancën e mëhershme lidhur me rastin, prokurori Ilir Morina ka thënë se e dëmtuara nuk ka arritur që ta identifikojë të pandehurin, për shkak se fotografia e prezantuar ka qenë e vitit 2021 dhe jo e kohës së luftës, kur dhe kishte ndodhur krimi.
Dëshminë për rast e kishte dhënë edhe e dëmtuara, e cila nuk ka qenë e pranishme në sallën e gjykatës gjatë shpalljes së aktgjykimit, siç nuk kanë qenë as ndonjë familjar tjetër i saj. Në sallë të enjten nuk ka qenë as i dënuari Baçeviq.
“Kjo ishte këshillë e imja dhe dëshirë e tij”, ka arsyetuar Vasiq, teksa ka folur rreth mungesës së klientit të tij në sallë, pas përfundimit të seancës.