Futboll

Barça e pret Getafen, Reali Espanyolin

Barcelona

Foto: Associated Press

Skuadra e Getafes pritet të jetë kundërshtare e fortë për Barcelonën e Hansi Flickut.

Getafe e ka nisur mirë edicionin 2025/26 në La Liga. Ka tri fitore dhe një humbje.

Renditet në pozitën e pestë me nëntë pikë. Barça ka një pikë më shumë në vendin e dytë.

Edhe Barça ka tri fitore, kurse regjistroi edhe një barazim.

Gjiganti katalonjas të dielën nga ora 21:00 e pret Getafen, në takimin e xhiros së pestë. Ndeshja zhvillohet përsëri në “Estadi Johan Cruyff”, që ka kapacitet prej 6 mijë ulësesh.

Stadiumi kryesor i Barçës “Camp Nou” është ende duke u rinovuar.

Barcelona ka pësuar vetëm një gol në shtatë ndeshjet e fundit kundër Getafes.

Getafe nuk ka fituar asnjëherë ndaj Barcelonës si mysafire.

Të dielën luan edhe Mallorca e Vedat Muriqit. Nga ora 16:15, Mallorca e pret Atletico Madridin.

Muriqi ka tri gola të shënuar deri më tani. Por forma e mirë e reprezentuesit të Kosovës nuk i ka bërë punë shumë Mallorcas.

Mallorca nuk ka fitore ende. Ka tri humbje dhe një barazim. Atletico qëndron më mirë me rezultate. Ka një fitore, dy barazime dhe një humbje. 31-vjeçari Muriqi ka dy gola të shënuar ndaj Atleticos.

Real Madridi të shtunën nga ora 16:15 e pret Espanyolin. Reali është ekipi i vetëm që ka katër fitore. E mban pozitën e parë me 12 pikë. Espanyoli ka nisur po ashtu mbarë. Nuk ka ende humbje. Me 10 pikë e mban pozitën e tretë.