Presidenti i Italisë, Sergio Matarella, ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Ne letër presidenti italian, Matarella thekson se Roma mbetet e palëkundur në mbështetjen e rrugëtimit të integrimit evropian të Prishtinës.
Ai ka thënë se marrëdhënia e miqësisë së thellë që bashkon vendet tona shprehet përmes angazhimit të përbashkët dhe të vazhdueshëm në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Kosovë, si parakusht thelbësor për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme, raporton KosovaPress.
“Në këtë drejtim, Roma mbetet e palëkundur në mbështetjen e rrugëtimit të integrimit evropian të Prishtinës dhe të mbarë rajonit. Arritja e këtij objektivi, për të cilin Italia do të vazhdojë të kontribuojë, mbetet thelbësore dhe kërkon një shtytës të re për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin”, thuhet në letrën e urimit të presidentit Mattarella.
Kosova, të martën shënon 18-vjetorin e pavarësisë.
Liderët botërorë urojnë 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka marrë letra urimi për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Osmani njoftohet se ka pranuar mesazhe urimi edhe nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, L.T. Charles III, Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron dhe Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella.
“Në letrat e tyre, liderët kanë përcjellë urimet më të përzemërta për Presidenten Osmani dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, duke theksuar përkushtimin për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe, mbështetjen për integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.