LAJMET E MBRËMJES

Dënim me 24 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e dyfishtë në një lokal në Klinë

Me 24 vjet e gjysmë burgim është dënuar Jon Hoti për vrasjen e dyfishtë të rreth një viti më parë në Klinë. Aktgjykimi për të u nxor dy ditë pasi vëllezërve Jeton e Nexhat Vllasaliu iu shqiptua dënimi me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi. E dallimet në dënime te këto dy raste, juristi Anton Ndrecaj i kualifikoi si tregues të mungesës së koherencës në sistemin gjyqësor

Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar të premten me 24 vjet e gjysmë burgim Jon Hotin për vrasjen e dyfishtë të kryer më 13 nëntor të 2024-tës në një lokal në Klinë. 

Në aktgjykimin e shpallur nga gjyqtari Shaqë Curri, Hoti u dënua me 24 vjet burgim për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe me 1 vit shtesë për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”. Ndaj tij, Gjykata caktoi dënim unik prej 24 vjet e 6 muaj burgim. 

Në aktakuzën e ngritur në prill të sivjetmë për vrasjen e R.SH. dhe A.SH. thuhet se Jon Hoti fillimisht i ka kërkuar shtëpitë e tyre për blerje, e pastaj i ka kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe ka lënë takim me ta në një lokal në Klinë, ku edhe ka ndodhur krimi.

Aktgjykimi ndaj Hotit u shpall dy ditë pasi Jeton e Nexhat Vllasaliu u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi. Krahas për veprën penale “Vrasje e rëndë”, ata janë dënuar edhe për atë të “dëmtimit të varreve apo kufomave”.

Tek i analizoi aktgjykimet në të dy rastet, juristi Anton Ndrecaj theksoi se dënimet përbëjnë mungesë të koherencës në sistemin gjyqësor.

“Kur flasim për veprën penale për vrasjen e një biznesmeni është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm, kurse vrasja në rastin tjetër, kemi vrasje të dyfishtë, ku kemi dënimin maksimal 24 vite burgim, kështu që këtu e shohim që nuk ka një koherencë ose një zbatim të praktikave evropiane dhe zbatim të mirëfilltë të vetë kodit penal të republikës së Kosovës”, ka deklaruar Ndrecaj.  

E për dallimin në dënimet që u shqiptuan, Ndrecaj theksoi se burimin e ka te pranimi i fajësisë në rastin e Hotit, e që përbën rrethanë lehtësuese.

“Personi që ka kryer veprën penale e pranon fajësinë. Kodi jonë i procedurës penale dhe kodi penal e parasheh këtë pjesën e rrethanës lehtësuese kur personi e pranon fajësinë dhe mbi bazën e saj, në këtë situatë në rrethana lehtësuese është që të mos zbatohet shqiptimi i dënimit më burgim të përjetshëm” R.Sh. dhe A.Sh. u patën vrarë në natën e 13 nëntorit të 2024-s në një lokal në Klinë, për arsye që ende nuk janë bërë të ditura.